Rama: Esadistët e rinj hedhin gurë kundër Shqipërisë
Akuzave të opozitës kryeministri Edi Rama iu përgjigj duke postuar në rrjetet sociale një videomesazh urimi të Këshillit Europian për Shqipërinë.
Rama flet për akuza vulgare ndaj qeverisë për dështime imagjinare.
“Mbrëmë, në të njëjtat orë që Këshilli Europian postonte këtë kartolinë përgëzimi për të gjithë shqiptarët, pas dakordësisë aspak të lehtë për datën e çeljes së negociatave me Shqipërinë, esadistët e rinj të Shqipërisë hidhnin gurët e akuzave të tyre vulgare kundër qeverisë si fajtore për një dështim imagjinar në Europë!”.
Kryeministri tërheq vëmendjen e shqiptarëve që të mos i harrojnë këto që ai i quan “shfaqje të pafundme brutaliteti kundër qëllimit tonë të përbashkët dhe vetë Shqipërisë”.Lulzim Bashës i kujton edhe një deklaratë të bërë në parlament një javë më parë përballë deklaratës se ministrit të jashtëm gjerman duke shkruar “Efendilerët esadistë të Shqipërisë dhe Gjermania mike jo më larg se dje paradite”.
Më herët Rama e konsideroi si fitore vendimin për çeljen e negociatave në Qershor të vitit 2019 dhe se Shqipëria ia doli të marrë datën për hyrjen në portin e Evropës së Bashkuar.
Kryeministri u shpreh se rezultatet e reformave bënë që dhe më skeptikët të njohin Meritën e Shqipërisë e të Maqedonisë. Sipas tij u fitua një betejë e vështirë dhe se lufta vijon.
Tv Klan