Parlamenti fut në kalendar pr/ligji për Teatrin
Mes debateve, Kuvendi miratoi me 74 pro dhe 46 kundër futjen në kalendar me procedurë të përshpejtuar të pr/ligjit për Teatrin Kombëtar që propozon një mënyrë të veçantë për projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re. Por kreu i opozitës, Lulzim Basha e akuzoi qeverine se po shkel Kushetutën.
“Ju doni të vidhni 205 milionë Euro me një dorë, jo vetëm doni të shkatërroni Teatrin Kombëtar, një pasuri kombëtare, por edhe procedurën e ligjit e shkelni. Bëni këtë sepse ky vend nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Nuk ka asnjë urgjencë për t’i vënë minat Teatrit përveç kaparit që keni marrë me Toyota Yaris”.
Por kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se vendimi parashikon vetëm futjen në kalendar të propozimit.
“Sot është diskutimi për procedurën dhe jo për thelbin”.
Projektligji pasqyron kërkesat e artistëve pas dëgjesave të kryera me ta, arkitektë dhe qytetarë dhe thuhet qartë se trualli i Teatrit Kombëtar nuk duhet të cënohet në asnjë centimetër të tij dhe që në gjithë procesin e negociimit për ndërtimin e godinës së re, artistët do të kenë dy përfaqësues të zgjedhur nga vetë ata. Por qëndrimet e artistëve ndahen vetëm për fatin e godinës.
Një pjesë e tyre, përmes deklaratave publike dhe nënshkrimit të kërkesave, kërkojnë shembjen dhe ndërtimin e një godine të re, ndërsa Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit këmbëngul në ruajtjen e saj.
Tv Klan