Kombëtarja, turpi i Gjermanisë
Gjermania po përjeton një turp kombëtar. Për herë të parë nuk arrin të kualifikohen në grupet e Botërorit dhe duke qenë një nga pretendentet kryesore të trofeut që e siguroi 4 vite më parë. Skuadra gjermane këtë të enjte i është drejtuar Frankfurtit.
Zërat janë se trajneri Joachim Löw do të shkarkohet, por ende nuk është marrë një vendim për të. Tekniku pranoi përgjegjësitë për dështimin.
Situata duhet analizuar me qetësi, thotë në një intervistë të tij Manuel Neuer, të publikuar në faqen e federatës. Nuk e merituam të vazhdonim më tej. Në fushë nuk ishim Gjermania për të cilën të gjithë duhet të kenë respekt. Shkatërruam gjithçka, të gjithë sëbashku.
Kapiteni gjithsesi nuk di ta shpjegojë se çfarë ndodhi, që Gjermania ofroi një panoramë të shëmtuar të saj, në një garë për të cilën përgatitej prej të paktën 2 vitesh.
Fakti që çuditi më së shumti ishte mungesa e rasteve të pastra të krijuara nga lojtarët gjermanë në ndeshjen me Korenë. Aziatikët në fakt e dinin se kë kishin përballë dhe pritën një mundësi që Gjermania të gabonte për ta ndëshkuar në minutat e fundit të lojës, atëherë kur tensioni i gjermanëve ishte më i madh dhe mundësia e gabimit ishte rritur.
Koreanët modestë gjunjëzuan Gjermaninë kampione bote. Vetëm ky fakt mjafton që futbollistët më së shumti nga kampionati vendas të festonin në këtë mënyrë.
Tv Klan