Cipras, ndihmë Merkelit për refugjatët
Kryeministri grek, Aleksis Cipras, është i gatshëm të pranojë rikthimin nga Gjermania të azilkërkuesve që u dyndën atje nga Greqia. Në një intervistë për “Financial Times”, shefi i qeverisë greke flet për nënshkrimin e një marrëveshjeje të veçantë, ku të parashikohet edhe mbyllja e kufijve për emigrantet që duan të vazhdojnë rrugëtimin nga Greqia drejt veriut të Europës. Por tek një marrëveshje e tillë, Cipras sheh fundin e traktatit të Dublinit.
“Ne nuk shqetësohemi për faktin se do të kemi disa të kthyer nga Gjermania nëse kjo ndihmon t’u dërgojmë një sinjal trafikantëve se Europa po lufton trafikun e jashtëligjshëm të emigrantëve. Por rregullorja ekzistuese e BE-së mbi përgjegjësitë e shpërndarjes së emigrantëve, që njihet si traktati i Dublinit nuk do të jetojë më.”
Marrëveshja mund të përfshijë bashkimin e 2 mijë familjeve të azilkërkuesve. “Financial Times” komenton se me një marrëveshje të tillë, Cipras po i jep një ndihmë të madhe kancelares Merkel përpara samitit të Brukselit. Shefja e qeverisë së Berlinit është nën presion nga aleatët qeverisës që i kanë vënë ultimatum për të zgjidhur kaosin e emigrantëve që ka krijuar në vend me politikën e dyerve të hapura për ta.
Tv Klan