Shqipëria dhe Britania, marrëveshje për shkëmbim informacioni në fushën e drejtësisë penale


Shqipëria dhe Britania, marrëveshje për shkëmbim informacioni në fushën e drejtësisë penale

12:41 06/07/2018

Qeveria shqiptare dhe ajo e Britanisë së Madhe kanë nënshkruar sot një Memorandum Mirëkuptimi, që synon përmirësimin e drejtësisë penale, duke hetuar dhe parandaluar veprimtaritë antiligjore në territoret përkatëse, përmes shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat kriminale.

Memorandumi u firmos nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe  inistri i Brendshëm Fatmir Xhafaj për palën shqiptare, si dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Norman Duncan për palën britanike.

Marrëveshja e nënshkruar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, krijon kushtet ndërmjet palëve për shkëmbimin e informacionit të historikut kriminal, lidhur me një dënim apo gjurmët e gishtave, për shtetas të Mbretërisë së Bashkuar dhe shtetas shqiptar. Kjo do të ndihmojë në cilësinë e drejtësisë penale, duke rritur informacionet e shkëmbyera, administruar nga 2 vendet partnere. Informacioni mes agjencive do të shkëmbehet edhe për shtetas nga vendet e treta, duke zvogëluar në këtë mënyrë kërcënimet e sigurisë së brendshme dhe sigurisë publike.

“Jam shumë i lumtur që sot nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për shkëmbimin e informacionit për rekordet kriminale me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Brendshme. Shkëmbimi i informacionit është një pjesë shumë e rëndësishme në punën tonë për luftën kundër krimit të organizuar. Ky Memorandum mirëkuptimi që nënshkruam sot, është një demonstrim se sa pranë janë të dy vendet tona tani, në përpjekjet e përbashkëta për luftuar këtë problem që na prek të gjithëve.  Ky është një shembull shumë i mirë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrim për të qenë edhe më shumë efektiv për të luftuar krimin e organizuar, këtu në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar”

, deklaroi Duncan Norman, ambasadori i Britanisë. /

tvklan.al






Të ngjashme