Zbulohen dy dhoma të përshtatura për kultivimin e kanabisit në Durrës
Një i arrestuar dhe një tjetër në kërkim është rezultati i një operacioni të autoriteteve në Durrës. I arrestuari është Elio Bedulla 25 vjeç, banues në qytetin bregdetar. Ai ishte i shpallur në kërkim pasi në datë 4 Qershor të këtij viti dyshohet se kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një personi me iniciale S.N., fatmirërisht pa shkaktuar dëmtime fizike.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë në lagjen Nr.14 të Shkozetit, e cila ishte në pronësi të një personi me iniciale Y.T., por ky i fundit e kishe dhënë me qira, policia gjeti dy 2 dhoma të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llampave elektrike.
Gjithashtu, gjatë operacionit u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike në banesë, që shërbente për furnizimin me energji. Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 221 bimë kanabis, një sasi e vogël kanabis dhe 1 armë zjarri pistoletë.
“Në përfundim të veprimeve të para hetimore është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit R.G., 33 vjeç, banues në Durrës, si bashkëpunëtor në kryerjen e veprës penale me E.Bedulla, pasi ky shtetas e kishte marrë me qira banesën e shtetasit Y.T. Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë për shpërdorim detyre shtetasi K.D., 28 vjeç, faturist, OSHEE Durrës, pasi nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në banesën e shtetasit Y.T”,
sqaron policia në një njoftim për mediat.
Policia thotë se nuk mund të japë më shumë detaje për ngjarjen për shkak të vazhdimësisë së veprimeve hetimore.
/tvklan.al