Pakti me Greqinë, Rama takon Tsipras
Edi Rama dhe Alexis Tsipras shfrytëzuan Samitin e Londrës për të zhvilluar një takim kokë më kokë për çështjet e mbetura pezull nga marrëveshja mes dy vendeve.
Në fund të takimit, Kryeministria njoftoi se disa çështje janë ende në diskutime dhe se “një zgjidhje pozitive mund të arrihet së shpejti”.
Pasi u mbyll takimi i parë në Samitin e Londrës, ku mikpritësja Theresa May i kishte dhënë mbështetjen 6 liderëve të Ballkanit Perendimor, Edi Ramën e priste takimi me Alexis Tsipras.
Në tryezë negociimi janë disa çështje, që nga delitimimi i kufirit detar, tek rishikimi i teksteve shkollore apo çështja e ligjit të luftës nga ana e Greqisë.
Grupet negociatore takohen rregullisht prej disa muajsh, tashmë dhe kanë vënë piketat për një marrëveshje, që sipas qeverive, zgjidh probleme të mbartura prej 70 vitesh mes dy vendeve.
Në përfundim të takimit, nuk pati një konferencë për mediat. Kryeministria pati një njoftim të shkurter pas takimit në Twitter.
“Kryeministrat e Shqipërisë dhe Greqisë Rama e Tsipras zhvilluan sot një takim, gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor që mbahet në Londër. Dy Kryeministrat diskutuan rreth negociatave mbi një numër të madh çështjesh, që po drejtohen nga ministrat e Jashtëm dhe vlerësuan arritjet e deritanishme”.
“Ndonëse ka ende çështje që do të vazhdojnë të diskutohen nga ekipet negociatore, Kryeministrat Rama dhe Tsipras shprehën besimin se një zgjidhje pozitive mund të arrihet së shpejti”.
Kuptohet se marrëveshja përfundimtare mes palëve nuk është ende gati, por me rëndësi është vendosja e besimit mes palëve gjatë negociatave.
Disa hapa para drej paktit janë kryer tashmë. Dy vendet kanë vendosur në mënyrë të ndërsjelltë të njohin lejet e drejtimit, Greqia ka vendosur të heqë vulën lapustile, duke thjeshtuar procedurat për emigrantët shqiptarë atje dhe ka qenë nismëtare e disa aktiviteteve në mbështetje të hapjes se negociatave mes Shqipërise dhe Bashkimit Europian.
Më herët, Ditmir Bushati konfirmoi pritshmëritë nga takimi Rama-Tsipras, kur e quajti këtë një “shans të artë” për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, por pa lënë mënjanë rezistencën politike ndaj procesit në Tiranë dhe Athinë.
Në Shqipëri është Presidenti Meta ai që ka shprehur disa herë rezerva për mënyrën si po zhvilloheshin negociatat duke refuzuar dy herë publikisht firmosjen e autorizimit për nisjen e tyre dhe tashmë duke kërkuar më shumë informacion para të se të nënshkruajë autorizimin dytë, kësaj herë për ta finalizuar marrëveshjen. Kjo edhe për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, që sipas Presidentit do të ishte garante për ligjshmërinë e këtij dokumenti.
Ndërsa rezistenca politike në Greqi është e njohur. Edhe sot mediat greke shkruajnë se edhe pse dakordësia për marreveshjen është gati dhe mund të finalizohet javën e ardhshme, qeveria greke po ngurron që ta nënshkruajë për të evituar kosto të mëtejshme politike pas reagimeve që shkaktoi në opinionin grek marrëveshja për emrin me Maqedoninë.
Tv Klan