Veshja e kryeministrit Rama në Londër, “BBC” komenton atletet
“
Atje është një botë ku e kanë mbyllur me kohë çështjen e lirisë së veshjes si e drejtë themelore e njeriut dhe s’merren me këtë aspekt...
” Kështu do e komentonte kryeministri Rama reagimin që ngjalli Korrikun e shkuar paraqitja e tij sportive në Samitin e Triestes. Por duket që gabon në argumentin e tij. Veshja e kryeministrit Rama, më saktë atletet e tij të bardha që mbante veshur në Samitin e Londrës këtë javë, i kanë bërë përshtypje dhe janë komentuar nga një prej mediave më të fuqishme në botë, Televizioni Publik Britanik. Në faqen e BBC në Twitter i është kushtuar një video atleteve të bardha të kryeministrit shqiptar, e titulluar: Duket që dikush ka harruar këpucët. Nuk dihet nëse vërtetë gjatë udhëtimit të tij për në samitin e Londrës, atletet e bardha kanë qenë të vetmet palë në valixhe, por vetë kryeministri kur u shfaq për herë të parë me një palë të ngjashme në samitin e Triestes tregoi se arsyeja kishte qenë pikërisht kjo. “Më kishin vrarë këpucët dhe atletet ishin të vetmet që kisha me vete...
” Atletet e kryeministrit Rama janë bërë “të famshme” dhe në rrethin e liderëve europianë. Një palë të tilla ai ka pranuar se ia ka dhuruar Emanuel Macronit ndërsa ka marrë pëlqimin për to dhe nga kancelarja Merkel. Për herë të parë shefi i qeverisë shqiptare u shfaq me atlete gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe prej atëherë zgjedh t’i veshë pothuajse ne çdo takim, edhe në ato zyrtare të niveleve të larta europiane. Tv Klan