Dëshmitari nga Dibra tregon tërmetin e frikshëm të vitit ‘67 (Emisioni 2 – Sezoni 1)


Dëshmitari nga Dibra tregon tërmetin e frikshëm të vitit ‘67 (Emisioni 2 – Sezoni 1)

12:49 12/01/2009

Histori me zhurmues – Tërmeti në rrethin e Dibrës dhe Librazhdit do të mbahet mend si një nga lëkundjet më të forta të tokës në vendin tonë. Dhe kjo ndodhi pikërisht gjatë dimrit të vitit 1967-të.

Tërmeti, kjo fatkeqësi natyrore, hyri papritur në jetën e përditshme të njerëzve, të shtëpive, fshatrave dhe qyteteve. Ai dëmtoi rrethe të Dibrës dhe Librazhdit, ku u prekën 13 lokalitete me 177 fshatra. Për pasojë gjetën vdekjen 12 persona dhe u plagosën 174 të tjerë. U dëmtuan 6.336 godina ndër të cilat shtëpi banimi, shkolla dhe ndërtesa të tjera me karakter kulturor e social. Por në më pak se 25 ditë u ndërtuan mbi 6.339 godina të reja.

Hilmi Kallçishta nga Maqellara ishte një nga dëshmitarët e shumtë të tërmetit në zonën e Dibrës. I ftuar në emisionit “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, ai ka rrëfyer detaje rreth ngjares.

“Ishte ditë e martë, 30 Nëntori i ‘67, ora 8 e 30. Të gjithë punëtorët ishin në punë dhe të gjithë nxënësit ishin në shkollë. U trondit i gjithë vendi, 22 fshatra dhe shkolla u shkatërruan. Gjithkush vrapoi për tek fëmijët. Nëpër shtëpi ishin shumë pak njerëz. Nata e parë kaloi jashtë, askush nuk guxonte të futej brenda. Të nesërmen na sollën çadra. Shumë vullnetarë u mblodhën dhe filloi ndërtimi menjëherë. Solidariteti ka qenë shumë i madh. Ndërtimet u bënë në një kohë shumë të shkurtër. Pas tërmetit njerëzit thonin: Na ndëshkoi Zoti sepse u hoqën kishat dhe xhamitë dhe shprehja “Pasha Zotin” u zëvëndësua me “Për ideal të partisë”, tregoi Kallçishta.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al






Të ngjashme