Basha, akuza të forta ndaj Prelës dhe Markut
Lulzim Basha thotë se drejtuesja e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela dhe Kryeprokuroja Arta Marku fshehin përgjimet dhe provat e prokurorisë, që sipas tij, lidhin Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknurin me bandat e krimit të organizuar në pazare korruptive “tendera dhe para në shkëmbim të votave” nga Dibra në Durrës dhe në Vlorë.
Në një deklaratë për mediat, kreu i PD thotë se
“dy vjet pas miratimit të Reformës në Drejtësi duhet të kishim një prokurori që ndëshkon dhe nuk mbron politikanët e lidhur me krimin. Vangjush Dako duhej të ishte në burg, bashkë me Saimir Tahirin, Elvis Roshin, Mark Frrokun, Qazim Sejdinin, Damian Gjiknurin me shokë”.
Por në vend të reformës, sipas Bashës, Edi Rama dhe Fatmir Xhafa e kapën drejtësinë me ndihmën dhe heshtjen e disa bashkëfajtoreve që sot bëjnë shurdhmemecin. Kryedemokrati thotë se drejtësia e kapur është sot garancia e vetme që mban larg burgut bandën në pushtet.
“Kush nuk e kupton është idiot. Kush bën sikur nuk e kupton është bashkëfajtor”,
thotë ai
.
“Qeveria e lidhur me krimin. Drejtësia e kapur nga qeveria. Ekonomia e kapur nga oligarkët që pastrojnë paratë e krimit dhe të korrupsionit qeveritar. Këto janë sfidat jetike, pa zgjidhjen e tyre Shqipëria shkon drejt katastrofës totale”,
e mbyll Basha deklaratën e tij.
/tvklan.al