Bie interesi i bonove të thesarit
Interesi i bonove të thesarit i është afruar rekordeve më të ulëta historike. Pas uljes në 1% të normës bazë të interesit të lekut, yield-i i investimit në borxhin qeveritar me afat një vit arriti në 1.87% për muajin korrik, nga 2.18% që ishte në qershor.
Për herë të parë edhe investimi në bono thesari nuk po sjell më fitime për depozituesit. Nëse llogaritet norma e inflacionit, humbja vjetore për ata që investojnë në këto lloj instrumentesh financiare është 0.17%.
Këtë muaj qeveria aplikoi për herë të parë edhe tregun “market maker”, një skemë e cila licenson 5 banka të nivelit të dytë për të blerë fillimisht bonot, e më pas janë ato që e tregtojnë atë në tregjet shqiptare apo të huaja.
Sipas një studimi të Fondit Monetar Ndërkombëtar në 20% të rasteve qeveria nuk arrin të marrë shumën që kërkon gjatë ankandit që organizon Banka e Shqipërisë dhe e merr me kosto mjaft të lartë. Metoda e praktimit të tregut primar bën që bankat të jenë të detyruara të blejnë bonot sa herë që nevojitet nga autoritetet, e më pas t’i tregtojnë ato.
Tv Klan