Mungesa e rojeve në plazhe/ Klosi-biznesit: Do mbani përgjegjësi penale
Mungesa e vrojtuesve mbetet një prej problematikave që cënon sigurinë e plazheve. Edhe pse së fundi disa biznese janë angazhuar për ta përmbushur këtë detyrim ligjor, ka subjekte që nuk e kanë vënë ujin në zjarr. Ky fakt pranohet edhe nga kreu i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi, i cili gjatë mbledhjes së Komitetit Rajonal të Turizmit në Pogradec u bëri apel bizneseve të përmbushin këtë detyrim ligjor, pasi në të kundërt do të përballen me ndjekje penale.
“Nuk mundet të rritet cilësia e shërbimit, nuk mund të rriten të ardhurat nga sezoni turistik nëse ne nuk i garantojmë sigurinë në plazhet tona, pra siguri nga forcat e rendit, por siguri edhe nga vrojtuesit të cilët janë 100 për 100 përgjegjësi e biznesit që menaxhon atë sektor. Pra jo vetëm përgjegjësi morale, por këtu bëhet fjalë edhe për përgjegjësi penale pasi biznesi ka përgjegjësinë që të vendosë një ruajtës plazhi në sektorin ku e zhvillon aktivitetin. Bërja e aktivitetit ka edhe përgjegjësitë e tij në këtë drejtim”.
Sa i takon fluksit të turistëve që kanë vizituar vendin tonë përgjatë Korrikut, numri është rritur me 13 %, krahasuar me të njëtën periudhë të 2017-s.
Tv Klan