“Këngët e Shekullit” edicioni i dytë, nata e tetë
Nata e tetë e programit “Këngët e Shekullit” është hapur me një këngë të kompozitorit të shquar Kujtim Laro. “Zhgënjimi” i vitit 1966, është një nga krijimet më të bukura të Kujtim Laros që ka mbetur në fondin e artë të muzikës tonë. Me vargje të Alqi Boshnjakut, kënga u interpretua nga këngëtarja Eneda Tarifa.
Lufta partizane është një fragment i Luftës së Dytë Botërore, e cila nuk mund të shmangej nga krijimtaria artistike. “Partizani vogël” është një kompozim i Agim Prodanit, me vargje të Fatos Arapit dhe daton në Dhjetor të 1970-ës. Orkestruar nga Endri Sina u risoll në natën e tetë nga Mariza Ikonomi.
Indrit Mesiti ishte këngëtari i tretë që performoi në natën e tetë. “Të njoha ty” një krijim nga Pjetër Gaci interpretuar vite më parë nga Tonin Tërshana në “Anketat muzikore”.
“Zgjodha njeriun” ishte një tjetër këngë që u interpretua nga këngëtarja Orgesa Zaimi.
“Duart e tua” është një nga krijimet më të bukura të Kastriot Gjinit. Kjo është një këngë që vulën ia vendosi në festivalin e 11-të Sherif Merdani, por nëse disa prej këngëve të tij janë kënduar më pas edhe nga këngëtarë të tjerë, “Duart e tua” mbeti e paprekshme. Por guxoi ta prekë sërish Merdani, në natën e tetë të “Këngët e Shekullit” duke e riinterpretuar edhe një herë.
Mateus Frroku ishte këngëtari i radhës që interpretoi në natën e tetë duke sjellë edhe një herë këngën “Mes jush” që është kënduar në festivalin e 10-të.
“Jetoj” është një këngë e vitit 1989, kompozuar nga Agim Krajka, e cila u risoll nga këngëtarja Mira Konçi.
“Rrjedhin mëngjeset”, një hit i kënduar vite më parë nga Vaçe Zela, është risjellë nga vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi Prifti.
Eranda Libohova interpretoi këngën “Prehri yt o nënë”.
“Të pata vetëm ty” ishte kënga që bëri të njohur Mihrije Brahan me publikun tonë. Riorkestruar nga Kristi, kjo këngë u interpretua në natën e tetë nga këngëtarja Anjeza Shahini.
“Këngë për Fato Berberin”, e riorkestruar nga Adrian Hila, u risoll nga Evis Mula.
Redon Makashi risolli në natën e tetë këngën “Zeshkania ime”.
Ermira Babaliu ishte e ftuara speciale e natës së tetë në “Këngët e Shekullit”. Ajo u bë shpejt popullore për publikun shqiptar, ndërkohë në natën e tetë interpretoi këngën “Pranë të kaltrit detë” dhe “Mbrëmja që mban dashurinë time”.
/tvklan.al