Gjykata e Lartë mbetet me 5 anëtarë
Shkëlzen Selimi është anëtari i katërt i Gjykatës së Lartë që është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualfikimit. Ai nuk mundi të kalojë filtrin e Vettingut.
Këtë të hënë ka dalë para komisionit Mehdi Bici edhe ky gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Sipas komisionit ai ka bërë deklarim të rremë të pasurisë dhe nuk e justifikon atë. Bici është pronar i një vile 4 katëshe në Tiranë për të cilën ka deklaruar se e ka ndërtuar me kursimet nga paga dhe ndihmën e vëllezërve. Edhe shkollimin e fëmijvë gjyqtari e ka bërë me ndihmën e vëllait. Në përfundim të seancës Bici tha se priste vlerësime të mira dhe se në rastin e tij duhet të jetë bërë ndonjë gabim.
Gjykata e Lartë mbetet me 5 anëtarë ndërsa për 2 prej tyre vendimet jepen të martën. Komisioni i Vettingut shkarkoi nga detyra edhe gjyqtarin e Tiranës, Bledar Abdullai me argumentin se nuk justifikonte pasurinë. Seancë dëgjimore u zhvillua me prokurorin e Krimeve të Rënda Besnik Muçi dhe gjyqtaren e Tiranës, Brunilda Kasmi. Sipas KPK, Muçi ka disa paqartësi me pasurinë dhe aftësinë profesionale. Ndërsa gjyqtarja Kasmi në bazë të gjetjeve të komisionit nuk ka probleme me justifikimin e pasurive për të cilat ka burime të ligjshme.
Tv Klan