Superliga, merkato me pak shpenzime
Merkato e kësaj vere për skuadrat shqiptare është mëse e kujdesshme. Më së shumti ekipet po marrin lojtarë nga njëra-tjetra duke marrë më së shumti lojtarët me kontrata të përfunduara. Njoftimi më i fundit vjen nga Durrësi. Mbrojtësi Ditmar Bicaj do të firmosë me Teutën dhe menjëherë do t’i bashkohet skuadrës në grumbullimin e Ohrit. Partizani afroi pak ditë më parë talentin e shpresave Rubin Hebaj.
Flamurtari duket se po bën merkaton më serioze për momentin. Vlonjatët morën nga Partizani Kotobellin, kapitenin Batha, Koliçin nga Kukësi dhe ish-lojtarin tjetër të Partizanit, argjentinasin Agustin Torrasa.
Televizioni Klan ka mësuar se në merkaton e kësaj vere, Torasa ka dashur të rikthehej në klubin e kuq, por kryeqytetasit nuk kanë paraqitur interesim ndaj tij. Lojtari pasi ka rregulluar dokumentacionin me ekipin që u aktivizua për një sezon në Argjentinë është drejt rikthimit në Superligë. Një vendim që e ka marrë me entuziazëm.
Afrimi më i rëndësishëm i vlonjatëve mbetet trajneri Ilir Daja. Edhe pse fitoi kampionatin me Skënderbeun, fakti që korçarët kanë ende në fuqi një pezullim për 10 vite nga Europa, e bëri Dajën të kërkojë suksesin në Vlorë.
Skënderbeu është skuadra më e dëmtuar në këtë merkato. Lojtarët e saj po tundohen nga skuadrat e tjera, por në mënyrë indirekte edhe e kanë shprehur dëshirën për t’u larguar.
Edhe bardheblutë e Tiranës nuk mbeten prapa me afrimet.
Superliga këtë sezon pritet të jetë e vështirë. Duket se hegjemonia e Skënderbeut është thyer. Tashmë të gjithë të tjerët do të synojnë fronin e kampionit.
Tv Klan