Zbuten tonet, Trump i “shtrin dorën” Iranit


Zbuten tonet, Trump i “shtrin dorën” Iranit

16:04 31/07/2018

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm së fundi veçanërisht pas daljes së SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore. Por presidenti amerikan Donald Trump i shtri dorën e dialogut homologut të tij Hassan Rouhani, duke shprehur gatishmërinë për një takim me të.

“Sigurisht që do të takohem me Iranin nëse ata duan të takohen. Nuk e di nëse ata janë gati pasi po kalojnë kohëra të këqija. Unë jam i gatshëm t’i takoj në çdo kohë. Nuk kam asnjë parakusht, nëse duan të takohen, takohemi, kurdo që dëshirojnë. Është mirë për ata, mirë për ne dhe mirë për të gjithë botën”.

Menjëherë pas fjalëve të Trump nisën aludimet për vendin e mundshëm të takimit. Alternativat më të përfolura ishin Koreja e Jugut, një vend i rëndësishëm negociator për afrimin e SHBA-ve me Veriun komunist dhe Franca, nisur nga marrëdhëniet e mira të Trump me presidentin Macron.

Qasja miqësore e Donald Trump vjen pas përplasjes së fortë që pati në distancë me presidentit Rouhani, të cilit i tha se do të vuajë pasojat më të rënda në histori, nëse kërcënon sërish SHBA-të.

Uashingtoni pritet të vendosë brenda pak ditësh sanksione të forta ekonomike ndaj Teheranit, pavarësisht kundërshtimeve të BE, Rusisë dhe Kinës.

Tv Klan






Të ngjashme