Thaçi: Korrigjim kufijsh me Serbinë


Thaçi: Korrigjim kufijsh me Serbinë

23:05 01/08/2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar se ne negociatat me Serbinë është i hapur për të diskutuar “korrigjimin” e kufijve për të arritur në një marrëveshje përfundimtare.

Deklaratën, presidenti i Kosovës e bëri gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve Asocciated Press,

“Pretendimi i Serbisë për ndarjen e Kosovës nuk do të ketë sukses, është i papranueshëm. Por, në arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi do të punojmë që përfundimisht të ndodhë njohja e ndërsjellë formale, de facto dhe de jure, midis dy vendeve, si dhe Kosova në fund të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-në. Pra, nuk do të ketë ndarje, por korrigjim të kufijve që nënkupton respektimin e kërkesës tashmë të institucionalizuar të Luginës së Preshevës me Kosovën”.

Thaçi nuk saktëson nëse marrja e Luginës së Preshevës nënkupton edhe ndryshimin e kufijve në veriun e Kosovës, por thotë se marrëveshja do të jetë e balancuar për të dy palët.

“Ndërkombëtarët janë duke na dëgjuar, ndërkombëtarët janë duke lehtësuar dialogun Kosovë-Serbi – Bashkimi Evropian me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vlerësoj se korrigjimi i kufijve Kosovë-Serbi dhe marrëveshja finale e njohjes reciproke që do të ndodhë… nëse kjo marrëveshje është e vullnetit të dyanshëm të palëve dhe një marrëveshje e balancuar, që nënkupton ‘win-win’ për të dyja palët, atëherë askush nuk mund të jetë kundër”.

Ideja e ndarjes tokësore së Kosovës, është një ide e hedhur nga zyrtarë të lartë të Serbisë dhe nënkupton shkëputjen e veriut të banuar me shumicë serbe, por edhe atë të shkëmbimit të mundshëm të territoreve, veriun e Kosovës për Luginën e Preshevës, rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Tv Klan






Të ngjashme