Në vjeshtë nisin punimet për Kardhiq-Delvinë


Në vjeshtë nisin punimet për Kardhiq-Delvinë

15:47 02/08/2018

Punimet për të përfunduar 16 kilometrat e mbetura të rrugës Kardhiq – Delvinë do të nisin brenda vitit. Qeveria ka zgjedhur që këtë segment ta ndërtojë me fondet e veta, e të mos e bëjë pjesë të programit “1 miliard Euro”.

Autoriteti Rrugor ka hapur zyrtarisht tenderin për kompanitë të cilat do të marrin përsipër përfundimin e lotit 5 dhe 6 të rrugës, ndërsa për 3 të tjerët pritet që tenderi të hapet vitin e ardhshëm.

Në total ndërtimi i dy lotëve të rrugës do të kushtojë 41 milionë Dollarë, ku pritet që një fond i ngjashëm të akordohet edhe vitin e ardhshëm për pjesën e mbetur.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka riparë projektin fillestar duke një urë dhe ka rritur sigurinë për disa pjesë të aksit.

Kardhiq – Delvinë është një nga nyjet më të rëndësishme të turizmit jugor, pasi lidh rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë me Sarandën, duke shmangur qafën e Muzinës, rrugë malore dhe e vështirë për automjetet.

Projekti i rrugës Kardhiq – Delvinë është tenderuar në vitin 2009 dhe ka një gjatësi totale prej 32 kilometrash.

Tv Klan






Të ngjashme