700 të burgosur me probleme mendore


700 të burgosur me probleme mendore

20:32 03/08/2018

716 të burgosur në Shqipëri vuajnë nga probleme mendore. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Arben Çuko, shifra është alarmante. 269 janë shpallur me vendim gjykate si të paaftë mendërisht, por për shkak të krimit të rëndë që kanë kryer, mbahen në spitalin – burg të Zaharisë. Ndërsa pjesa tjetër janë ekzaminuar pasi kishin filluar vuajtjen e dënimit.

“Ne kemi në sistem dy kategori: Ata me mjekim të detyruar me vendim gjykate dhe kategoria e dytë janë të dënuarit që janë diagnostikuar nga personeli shëndetësor që shërben në burgje dhe nga psikiatërit e spitaleve rajonale dhe ata të spitalit të burgut”,

thotë Arben Çuko, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve në një intervistë për Klan Plus.

Numri është tepër i lartë, duke qenë se të burgosurit në burgje dhe paragurbim janë në total 5500. Sipas drejtorit Çuko, tentativat e vetëvrasjeve të kësaj kategorie janë pothuasje të përditshme.

“I kemi larguar nga sektorët e tjerë të të burgosurve të zakonshëm dhe kemi hapur seksione të veçanta vetëm për ata. U kemi shtuar vëmendjen, shërbimin shëndetësor, shërbimin e sigurisë, psikologët. Kuptohet që nga vetë natyra e sëmundjes, kemi shumë shpesh tentativa vetëvrasjeje nga ata. I kemi shmangur por ky rrezik qëndron çdo ditë”.

Një tjetër problem për Drejtorinë e Burgjeve është edhe mungesa e psikiatërve.

“Kjo kategori është shumë e konsiderueshme. Shërbimi mjekësor në burgje është i organizuar, por e vërteta është se ne kemi mungesë mjekësh. Mungesë shqetësuese mjekësh”.

Së shpejti burgu i Lezhës do t’i nënshtrohet rikonstruksionit dhe do të kthehet në spital për të dënuarit me probleme të shëndetit mendor.

Burimi: Klan Plus

Gazetare: Elona Gjylmi






Të ngjashme