Bashkimi Sovjetik kërkoi grusht shteti për të përmbysur Enver Hoxhën (Emisioni 6 – Sezoni 1 )
Autori: Pamela Jonuzi
18:00 08/02/2009Histori me zhurmues – Në vitin 1955 do të kishte një tjetër ngjarje të madhe. Më 14 Maj të atij viti, me iniciativën e Bashkimit Sovjetik u firmos traktati i Varshavës nga 8 vende të ish-kampit socialist.
Ish-përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes në Traktatin e Varshavës dhe gjenerali Halim Ramohito ishte i ftuar në “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, nga ku tregoi rreth qëllimeve të Bashkimit Sovjetik kundrejt Shqipërisë.
“Pas përfundimit të luftës, bota u nda në dy kampe. Arsyet se përse u futëm ne në këtë traktat janë të brendshme, politike dhe ideologjike, por kanë qenë edhe të jashtme, por në shtypin tonë nuk pasqyroheshin. Ishte Jalta dhe Posdami që Shqipërinë e përmblodhi në këtë aleancë. NATO u formua në vitin 1949, ndërsa traktati i Varshavës në 1955. Këto dy blloqe nuk mund të mos kishin edhe blloqe ushtarake për t’iu kundërvënë njëra-tjetrës. Me sa di unë buxheti në atë kohë ka qenë 10% për ushtrinë sepse sovjetikët mbanin 50% të nevojave”, tregoi Ramohito.
Lidhur me qëllimet e Bashkimit Sovjetik kundrejt vendit tonë, Ramohito tregoi se iu ishte kërkuar të ngrinin grusht shteti për të rrëzuar Enver Hoxhën, por ai tregon se nuk ishin të përgatitur për këtë.
“Çështë e vërteta, Traktati Varshavës ka qenë një instrument fund e krye i sovjetikëve, për të ruajtur influencën e tyre dhe për ta zgjeruar atë. Traktati i Varshavës zyrat i kishte në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë sovjetike. Të gjithë drejtuesit e saj ishin me përgjegjësi edhe në ushtrinë sovjetike që e kodifikuar quhej drejtoria e 10-të. Ne ishim atje 7 përfaqësues të Europës Lindore, ndërkohë që ata vetë ishin 150 veta, drejtimin e kishin ata. Traktati i Varshavës mblidhej në nivelin e lartë 1 herë në vit. Hrushovi, drejtuesit i zgjidhte sipas preferencave të tij. Në atë kohë ne kemi patur 950 ushtarakë në Bashkimin Sovjetik, të cilët përgatiteshin që ne të mernim drejtimin e bazës ushtarake të Pashalimanit. Pasi filluan problemet me sovjetikët, ushtria jonë kishte armatime, por nuk kishte municione. Për 15 ditë na prenë marrëveshjen e 50% të ushqimeve, veshëmbathjeve etj. Mbledhja e fundit e traktatit të Varshavës është bërë më 27-28 Mars të vitit 1961, ku u morën dy vendime. I pari që ne t’i dorëzojmë bazën ushatarake Bashkimit Sovjetik.
E dyta që ata do të largoheshin nga baza, por nëse ne do të kërcënoheshim, përgjegjësinë do ta mbanim vetë.
Ne votuam kundër, sepse po të kishim votuar pro do të përbënte një rrezik për vendin tonë. Në atë kohë ata na bënë thirrje për të bërë grusht shteti për të përmbysur Enver Hoxhën. Ne nuk ishim të përgatitur për këtë. Enver Hoxha vetë shkruante, vetë vuloste, për 45 vite me radhë dhe fundi i tij do të vinte në vitin 1990”, tregoi gjenerali Halim Ramohito.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al