Shembet ura e autostradës në Xhenova
Një video amatore tregon momentet e tmerrit që përfshiu ata që panë me sytë e tyre shembjen e urës në Xhenova të Italisë pak para mesditës.
Struktura prej betoni e varur, u shemb në tokë në pak sekonda, duke zënë poshtë dhjetëra autovetura e kamionë. Bilanci është tragjik; 35 të vdekur 16 të plagosur dhe të paktën 10 persona ende të pagjetur. Ekipet e emergjencave vijojnë kërkimet nën rrënoja. Këto pamje tregojnë automjetet e shkatërruara të rëna pranë brigjeve të lumit pas shembjes së urës. Të tjerë dëshmitarë nuk u besojnë syve teksa shohin urën gjigande të shembur. Shumë prej personave që ndodheshin pranë urës, thonë se struktura u shkatërrua pas një rrufeje të fuqishme. Një kamionist shpëtoi me pak plagë pasi ishte hedhur nga kamioni sapo ndjeu se ura po shembej."Dëgjova një gjëmim të fuqishëm dhe pastaj u hodha nga kamioni. Ishte si një goditje “shock”, pastaj rashë disa metra më poshtë. Ishte një mrekulli që shpëtova".
Një banore e Xhenovas pa me sytë e saj shembjen e urës.Reuters saying “dozens feared dead” from the devastating collapse of the #PonteMorandi suspension bridge in #Genova, Italy
pic.twitter.com/Tdnmcq3Fgn — ✿ṡ︎erenẹ︎ (@MythSerene) August 14, 2018
"Ishte një eksperiencë shumë e keqe. Isha 10 metra larg urës. Papritur ura u shemb sikur të ishte miell".
Shkaqet e tragjedisë janë ende të paqarta. Ekspertët ia vënë fajin teknologjisë tepër të vjetëruar mbi të cilën ura qëndronte akoma në këmbë. Ura mban emrin e inxhinierit ndërtues Rikardo Morandi, u ndërtua në vitin 1967 nën shembullin e urës së Bruklinit. Këto ditë, mbi strukturën e saj po kryheshin punime mirëmbajtjeje. Inxhinierët thonë se kavot që mbanin urën në këmbë ishin tepër të vjetëruar. Disa prej tyre e kishin paralajmëruar me kohë rrezikun e shembjes së saj, për më tepër që mbi të kalonin automjete të tonazhit të rëndë. Ura kalon mbi lumin Polçevera, ku kalon autostrada A10 që lidh Xhenovën me Savonën e qytete të tjera veriperëndimore të Italisë. Kostot e mirëmbajtjes së urës kanë qenë të larta gjatë këtyre viteve, aq sa kanë tejkaluar ato të ndërtimit. Që në ndërtimin e saj, inxhinierë të ndryshëm ishin kundër. Ura i është nënshtruar disa herë riparimit dhe inxhinierët kanë shprehur shpesh shqetësimin për problemet e vazhdueshme që ka shfaqur. Tv Klan