Papa kërkon falje për abuzimet e priftërinjve


Papa kërkon falje për abuzimet e priftërinjve

20:18 20/08/2018

Papa Françesku i konsideron “mizori” abuzimet seksuale me të mitur të priftërinjve katolikë në Pensilvani. Për të parën herë, kreu i Vatikanit i është drejtuar me një letër publike 1.2 miliardë besimtarëve të krishterë katolikë të të gjithë botës për çështje që kanë të bëjnë me abuzimet seksuale.

Papa i referohet rastit të bërë publik javën e kaluar, kur Gjykata Supreme e Pensilvanisë, ku sipas dokumenteve gjyqsore rezulton se 300 priftërinj katolikë të këtij shteti federal kanë abuzuar seksualisht me mbi 1 mijë minorenë. Skandali shtrihet në kohë në vitet ’70.

Në letrën me rreth 2 mijë fjalë, Papa shpreh keqardhjen e thellë për viktimat e këtyre abuzimeve, të cilët sipas tij janë injoruar për një kohë të gjatë dhe janë detyruar të qëndrojnë në heshtje.

Për kreun e kishës katolike, abuzimet dëmtojnë rëndë të gjithë komunitetin, duke cituar edhe një varg nga bibla “nëse një pjesëtar vuan, të gjithë vuajnë sëbashku”. Papa Françesku kërkon që të gjendet forca për të pranuar akte të tilla dhe të dënohen, në mënyrë që ato të mos përsëriten në të ardhmen.

Vitet e fundit, Kisha Katolike botërore është tronditur nga zbulimi i dhjetëra rasteve të abuzimit me fëmijë të priftërinjve. Kleriku më i lartë katolik, i cili është ngarkuar me akuza për fshehje të abuzimeve seksuale ishte kryepeshkopi autralian Filip Uillson, i cili nuk kishte marrë masa pavarësisht se ishte në dijeni të një rasti të abuzimit të priftërinjve të tij në vitet ’70.

Tv Klan






Të ngjashme