Foto/ Aksidentohet familja shqiptare në Kanada, vdes babai dhe djali
Dy shqiptarë kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident rrugor në Kanada. Katër anëtarë të një familje shqiptare që udhëtonin me makinë, u përplasën me një automjet tjetër në Ontario.
Mediat kanadeze shkruajnë se viktimat janë Fatos Metko 45 vjeç nga Erseka dhe djali i tij Fioralb Metko 14 vjeç. Të plagosur mbetën bashkëshortja e Fatos Metko, Maralba dhe vajza e tij Brianna. Ato janë dërguar në spital ku po marrin ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, nga automjeti i dytë i përfshirë në aksident humbën jetën dy persona të tjerë me shtetësi kandaze, Cynthia Caraoa 51 vjeç dhe 9-vjeçarja Anika Caraoa e Winnipeg. Ndërkohë, tre persona të tjerë po nga automjeti i dytë kanë mbetur të plagosur.
Shtypi vendas raporton se Fatos Metko kishte punuar si kuzhinier në dy restorante për më shumë se 9 vjet. Kështu shprehet edhe bashkëpunëtori i 45-vjeçarit Metko, shqiptari Ervin Bushi. Ky i fundit ka punuar për 8 vite me viktimën, dhe thotë se Fatosi ishte një ndër personat më punëtorë.
“Mjaftonte që të kërkoje ndihmë dhe ai nuk thoshte jo….Ishte një shembull i mirë për të gjithë punonjësit tanë. Ai dhe gruaja e tij ishin të dy punëtorë. Punonin çdo ditë në industrinë e shërbimit dhe të restoranteve. Përpiqeshin t’u ofronin fëmijëve më të mirën. Është e trishtë që përfundoi kështu”,
shprehet Ervin Bushi.
Familja Metko po udhëtonte drejt Ontarios për të vizituar qytetin, me synimin për t’u shpërngulur në atë qytet aty javët e ardhshme. Çifti shqiptar kishte nisur procedurat për të regjistruar në shkollë dy fëmijët. Përmes një deklarate, Shoqata Shqiptaro-Kanadeze tha se po mbledhin fonde për familjen Metko që u përfshi në aksidentin tragjik.
Policia kanadeze bëri me dije se automjeti me të cilin udhëtonte familja shqiptare u përplas fillimisht me një dre dhe më pas humbi kontrollin duke u përplasur me një makinë tjetër./
tvklan.al