Vdekja e John McCain, mesazhe ngushëllimi nga politikanët shqiptarë
Ndarja nga jeta në moshën 81-vjeçare të senatorit amerikan John McCain ka sjellë mesazhe ngushëllimi nga kasta politike në vend. Ka qenë presidenti Ilir Meta i pari që ka shprehur ngushëllimet, kryeministri Edi Rama dhe më pas kryetari i opozitës Lulzim Basha.
Meta e ka cilësuar ndarjen nga jeta të McCain, si një lajm të hidhur për të gjithë shqiptarët. Meta e vlerëson senatorin John McCain si një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj. Statusi i plotë i Presidentit Ilir MetaNdarja nga jeta e Senatorit John McCain është një lajm i hidhur për mua dhe për të gjithë shqiptarët.
Sot u largua nga jeta një hero lufte dhe një patriot i madh, njeriu që i shërbeu kombit të tij me vetëmohim, heroizëm e ndershmëri të pashoqe.
Ai i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan.
Senatori McCain ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj.
Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO për të cilën të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.
Angazhimi i përkushtuar i njerëzve të tillë si McCain për çështjen e të drejtave dhe të lirive të popujve të shtypur në botë e kanë bërë SHBA-në një vend lider të demokracisë dhe rriti simpatinë e saj në gjithë botën. Sot shqiptarët humbën një mik të veçantë e të pazëvendësueshëm. U prehtë në paqe shpirti i tij!
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkruar një mesazh ngushëllimi dhe falënderimi në të njëjtën kohë, për kontributin e senatorit amerikan, John McCain. Statusi i plotë i kryeministrit Edi RamaSenatori John McCain e jetoi jetën si një betejë të pandërprerë për vlerat e mishëruara në qenien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës
🇺🇸 Ai ishte dhe një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin kemi bashkëpunuar e ndarë mendime të njëjta. Thank you for all and rest in peace Senator.
Edhe kryetari i PD, Lulzim Basha ka publikuar në rrjetin social Facebook, një mesazh ngushëllimi. Basha e ka cilësuar McCain si një luftëtar i pamposhtur për kauzën e lirisë. Statusi i plotë i kryetarit të opozitës Lulzim BashaMe ndarjen nga kjo jetë të Senatorit John McCain, kombi shqiptar humbi një mik të madh. Luftëtar i pamposhtur për kauzën e lirisë, Senatori McCain ishte një zë i fuqishëm në krah të betejave të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim euro-atlantik. Mirënjohje e përjetshme për këtë hero dhe ngushëllimet më të ndjera familjes së tij dhe popullit mik amerikan. U prehtë në paqen e Zotit!/
tvklan.al