Rama: Italia u la vetëm në krizën e refugjatëve


Rama: Italia u la vetëm në krizën e refugjatëve

15:40 28/08/2018

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha se Shqipëria kishte detyrim moral ndaj Italisë për ta ndihmuar me marrjen e disa refugjatëve të bllokuar në anijen Diçoti. Për mediat italiane, Rama kritikoi Bashkimin Europian që e ka lënë vetëm Italinë mes një krize të rëndë si ajo e refugjatëve.

Kryeministri Edi Rama e konsideron detyrim moral, pranimin nga Shqipëria të disa prej refugjatëve që u bllokuan javën e kaluar në anijen ‘Dicotti’ pranë brigjeve italiane. Në një intervistë telefonike për televizionin italian Telenord, Rama kritikon Bashkimin Europian që e ka lënë vetëm Italinë, mes një barre të rëndë si kriza e emigrantëve.

“Italia ka qenë një prej vendeve më mikpritëse të Europës në 30 vitet e fundit, por u la shumë kohë e vetme dhe nervat nuk mbajnë më. Nuk është se ne mund të zgjidhim shumë në këtë situatë, duke pasur parasysh se sa i rëndë është problemi. Për ne ka qenë një moment përgjegjësie dhe thamë të bëjmë atë çka mundemi, me shpresën që Europa të zgjohet dhe ky problem të zgjidhet në nivel europian. Është e pamundur, e për më tepër është zhgënjyese që zhvillohen takime e samite dhe sërish shohim që Italia e Greqia vazhdojnë të vuajnë”.

Rama kujtoi se disa vite më parë kanë qenë shqiptarët në pozitat e eritreasve që u shpëtuan mes detit, në rrugëtimin e tyre nga Afrika për një jetë më të mirë në Europë. Qeveria shqiptare pranoi të shtunën të marrë 20 nga rreth 150 emigrantët e shpëtuar nga anija ‘Dicotti’.

Tv Klan






Të ngjashme