Audio-përgjimi/ Biba: Opozita nuk i njeh procedurat e Gjykatës së Strasburgut
Nënkryetari i KQZ, Denar Biba u është përgjigjur sërish akuzave të PD, në lidhje me audio-përgjimin nëpërmjet një postim në Facebook.
Në reagimin e ditës së sotme Biba shprehet se është i shqetësuar lidhur me këtë përgjim masiv dhe se opozita nuk i njeh procedurat e Gjykatës së Strasburgut.
Një ditë më parë Biba e pranoi se në vitin 2014 në Strasburg është takuar me Ledi Biakun, gjyqtarin shqiptar të Gjykatës së Strasburgut. Por takim sipas tij ka qenë në rrethana krejtësisht miqësore, aspak shantazhues siç deklaron opozita duke ju referuar audio përgjimit të publikuar për të cilin thotë se është i montuar.
Statusi në Facebook
Jam personalisht dhe familjarisht i shqetësuar për këtë përgjim masiv që po i bëhet emrit tim. Edhe pse në këtë vend kemi parë e dëgjuar aq shumë përgojime në tërë këto vite sa jemi mësuar me të keqen, kur të bie në kurriz qenka vërtete e rëndë.
Dëgjova z.Basha dje dhe z.Bardhi sot, të dy juriste ne profesion dhe jam realisht i habitur për mënyrën sesi e kuptojnë ata ligjin dhe sesa pak i njohin procedurat e Gjykatës së Strasburgut.
Të nderuar z.Basha e z.Bardhi, disa pyetje të thjeshta kam për ju, në kuptim të rrethanave të faktit dhe elementeve të veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (neni 245/1 i KP):
Çfarë premtimi apo sigurimi (në kuptim të nenit 245/1 te KP) kishte në dorë të me jepte Ledi Bianku, që unë të merrja mundimin ta influencoja?
A e dini që biseda nuk kishte lidhje me marrjen e një vendimi gjyqësor, por me një vendim tashmë të marrë nga Gjykata; thjesht kërkohej shtyrja e afatit të ekzekutimit të tij?
A e dini që Shteti shqiptar e kishte marrë edhe më herët një shtyrje prej 18 muajsh në lidhje me ekzekutimin e detyrimit ndaj ish-pronarëve dhe se “moratoriume” të ngjashme Shtetet pale të Konventës kanë të drejtë legjitime t’i kërkojnë kur të duan e sa herë të duan?
A e dini që kjo tipologji kërkese s’ka të bëjë fare me vendimmarrjen tradicionale gjyqësore të GJEDNJ në lidhje me ankimet ndaj Shteteve pale, por është një kërkese e pastër politike dhe produkt i një vendimmarrje politike, në varësi të situatës politiko-ekonomike e sociale që kalon Shteti përkatës? Sepse “ndikimi i paligjshëm” synon të përfitojë përmes premtimit diçka që përndryshe, në respekt te fakteve, ligji e ndalon. Çfarë paligjshmërie është të diskutosh, t’i marrësh mendim, apo qoftë edhe të përpiqesh të bindesh cilindo, qoftë ky edhe një gjyqtar i Gjykatës së Strasburgut, për të siguruar një shtyrje afati deri sa situata në vend të rregullohet përmes një ligji të Shtetit tënd? A mund të më tregoni nenin dhe ligjin që kam shkelur?
Si ka mundësi që nuk reagoi Gjykata e Strasburgut pasi u vu në dijeni nga z.Bianku se ndaj tij ishte ushtruar një ndikim i papërshtatshëm?
Çfarë konkretisht ka ndodhur mes vitit 2014, kur unë e kam bërë atë bisedë në kafene me mikun tim Ledi Bianku e deri më sot?
Përse del sot ky përgjim i qepur si mos më keq dhe ku është e gjithë pjesa tjetër e bisedës krejt normale mes meje e mikut tim, ku unë i flas për sakrificën time e jo të atij?
Ku doni të dilni me këtë të nderuar kolege juriste, ndërkohë që e dini edhe vete se sa e turpshme është e gjitha kjo?
Natyrisht, s’pres përgjigje as nga zoti Basha e as nga zoti Bardhi, por kam të drejtë si qytetar të pres që mediat të hedhin dritë mbi këtë legen plot me llum të zi.
/tvklan.al