KE pengon Shqipërinë të strehojë 20 emigrantët eritreas
Italia nuk mund t’i dërgojë 20 refugjatët në Shqipëri, siç u ra dakord me qeverinë shqiptare, nëse fillimisht këta nuk pyeten dhe të merret pëlqimi i tyre. Sqarimin e direktivës së Bashkimit Europian për të drejtën e azilit e dha zëdhënësja Natasha Bertaud, në një konferencë për shtyp nga Brukseli.
Ajo thotë se në dokumentin e Komisonit Europian kjo nismë do të konsiderohej si shkelje e rregullave, pasi dërgimi i azilkërkuesëve në një vend të tretë pa e vlerësuar më parë kërkesën për azil, përbën një refuzim dhe është në shkelje të rregullave të BE dhe ligjit ndërkombëtar.
Qeveria shqiptare ndërmori nismën për strehimin e 20 emigrantëve të mbajtur prej ditësh në kushte të vështira në anijen “Diciotti” në portin e Katanias. Por direktiva e Komisionit Europian për kërkesën për azil duket se e pengon realizimin e gjestit të Tiranës zyrtare, i përshëndetur nga krerët kryesorë politikë në Romë.
Në një rast të ngjashëm vitin e kaluar Komisioni Europian, refuzoi propozimin e Austrisë dhe Danimarkës për të transferuar emigrantët në një vend brenda Bashkimit Europian.
Tv Klan