Komiteti për liritë civile, “pro” liberalizimit të vizave për Kosovën
Bashkimi Europian hedh hapin e parë drejt heqjes së vizave për qytetarët kosovarë. Komiteti për Liritë Civile në Parlamentin Europian miratoi të enjten raportin e Komisionit Europian, të paraqitur më 18 Korrik ku thuhej se Kosova i kishte përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave.
Për raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian Tanja Fajon, nuk ka më asnjë arsye që institucionet përgjegjëse të unionit të pengojnë procesin e heqjes së vizave.
“Ata nuk kanë asnjë arsye që ta kundërshtojnë këtë pasi Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret. Ne po e bëjmë këtë për njerëzit e zakonshëm, për të rinjtë, për ata që sot poshtërohen para konsullatave sepse thjeshtë nuk mund të udhëtojnë në vendet europiane”.
Raporti i miratuar me 30 vota pra, 10 kundër dhe 2 abstenime i hap rrugën institucioneve kryesore, Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit Europian të ndërmarrin hapat e nevojshëm. Pritet që procesi të përfundojë brenda një viti dhe qytetarët kosovarë të lëvizin të lirë në vendet e BE-së. Optimizmin e shprehën në një reagim në Twitter, edhe komisionerët Hahn e Avramopulos.
Tv Klan