Në “pasarelën” e Festivalit të Venecias
Edhe në edicionin e 75-të, Festivali i Filmit në Venecia u shndërrua në një pasarelë mode. Ndonëse fokusi kryesor janë filmat dhe çmimet, një ndër momentet më kulminante të këtij evenimenti është edhe parakalimi i figurave më të njohura të botës së artit në tapetin e kuq.
Yjet e këtij edicioni përzgjodhën veshjet më të bukura dhe më ‘trendy’ të momentit në dy netët e para të tij. Lady Gaga arrin gjithmonë të marrë vëmendjen me stilin e saj të guximtë dhe shpeshherë agresiv. Në Venecia, ylli i Pop-it që do të prezantohet me filmin e saj të parë si protagoniste, “A star is born”, i befasoi të gjithë për elegancën me të cilën u shfaq nën dritat e reflektorëve. Nuk mbeti pas as Emma Stone, e cila me buzëqeshjen stampuar në fytyrë dhe një fustan transparent në ngjyrë hiri, u prezantua magjepsëse para publikut. E teksa shumë prej yjeve kanë vendosur të vishen me stilin e saj, Donatella Versace zgjodhi një fustan të kuq rrezëllitës, në krah të Irina Shyak me të cilën dukej e kombinuar me se miri në këtë parakalim. Edicioni i këtij viti ka mjaft filma konkurrues, por siç shihet, yjet konkurrojnë çdo natë jo vetëm me rolet, por edhe me veshjet e punuara nga stilistët më të famshëm në botë. Tv Klan