Thaçi: Është koha të arrijmë marrëveshjen me Serbinë
Kosova nuk ka më kohë për të humbur, por duhet të firmosë marrëveshjen historike dhe të domosdoshme me Serbinë.
Është ky mesazhi i presidentit Hashim Thaçi në një letër publike, adresuar ambasadorëve të SHBA-ve, BE-së dhe misioneve të tjera ndërkombëtare në Kosovë.
“
Nuk mund të kthehemi prapa, sepse historia e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është një histori tragjike. Nuk mund të qëndrojmë në vendnumëro dhe as nuk kemi se çfarë të presim, sepse ngecja dhe pritja në zgjidhjen e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është pikërisht thirrje për tensione, për destabilizim, për probleme të mëdha, jo vetëm mes nesh, por edhe në mbarë rajonin”.
Duke mos e përmendur bashkëngjitjen e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit me Kosovën, Thaçi thotë se korrigjimi i kufirit do t’i linte pas mosmarrëveshjet mes dy vendeve.
“Njohja reciproke mes të dy shteteve, do të mund të përcillet edhe me një proces të dakorduar mes të dy palëve për korrigjimin e kufirit të Kosovës dhe Serbisë. Duhet të jem sërish shumë i qartë: Ky proces do të shënonte fundin e konfliktit të gjatë mbi një shekull në mes të Kosovës dhe Serbisë, jo fillimin e një konflikti të ri. Kosova si shtet, si politikë, si shoqëri, është lodhur nga ngecja në procesin e konsolidimit të brendshëm dhe atë ndërkombëtar”.
Një qasje pro marrëveshjes historike mbajti edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i cili duke sulmuar opozitën serbe tha se ka harruar se bëhet fjalë për ndryshimin e kufijve të një Kosove të pavarur. Serbia do të pranojë një marrëveshje me Kosovën, që do të jetë në interes të popullit tonë, tha Vuçiç.
Tv Klan