Erdogan “luftë” Dollarit amerikan
Përkeqësimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, detyroi Erdoganin të gjejë një zgjidhje alternative për kërcënimin që i vjen ekonomisë së Turqisë nga Dollari amerikan.
Presidenti turk propozoi se Turqia do të kërkojë të bëjë tregti me valutën e saj, për të mos mbetur peng i vendeve të tjera.
“Varësia e tregtisë ndërkombëtare ndaj Dollarit amerikan ka filluar të bëhet pengesë për ne. Prandaj ne propozojmë të fokusohemi mbi alternativën e bërjes tregti me valutat tona. Si pasojë e metodave si kufizimet tregtare, tarifat doganore dhe sanksionet, marrëveshjet e lidhura prej shumë vitesh mund të bëhen të pakuptimta në një çast”.
Megjithatë Erdogan theksoi se Turqia do të vijojë të mbrojë dialogun dhe diplomacinë.
Turqia i bashkangjitet vendeve si Rusia apo Kina që kanë nisur të përdorin monedhën vendase për marrëveshjet tregtare. Të dy vendet pësuan valën e sanksioneve dhe tarifave tregtare nga Shtetet e Bashkuara.
Vendimi i Erdogan për të qenë i pavarur nga Dollari amerikan, vjen një ditë pas qëndrimit të fortë që pati Presidenti turk lidhur me marrëveshjen për blerjen e sistemit rus të mbrojtjes raketore ajore S-400. SHBA e cilëson të papranueshme që një ndër aleatët kryesorë të NATO-s të blejë armë nga armiku numër 1 i aleancës, por Erdogan tha se Turqia nuk i merr leje askujt për blerjet e armatimeve.
TV Klan