Dita e një gruaje në vitet ’80 (Emisioni 9 – Sezoni 1)
Autori: Pamela Jonuzi
20:43 01/03/2009Histori me zhurmues – Një arsye më shumë për të bërë tufëzimin në vitin 1980 ishte edhe çlirimi i gruas nga punët në bujqësi dhe blegtori që ajo t’i përkushtohej më shumë familjes. Por për të folur për të vërtetën e gruas shqiptare në ato vite ishte e ftuar në “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Valentina Toro.
“Të them të drejtën ato që pasqyroheshin kanë qenë fasada për mua. Unë kam shkuar në Lubonjë të Vlorës që në moshën 17-vjeçare dhe që kur vajta më thirrën në këshill dhe më thanë të dal në punë. Të gjithë punëtorët vajtën në fermë dhe morën lopatat e tyre të cilat i kishin me emra, ndërsa unë mora një lopatë të ndryshkur me të cilën jo vetëm nuk punova, por e lava me lot. Por më vonë u mësova dhe bëja edhe punën e burrave. Dita e një gruaje që punonte në fermë fillonte që në dy të natës dhe korrte grurin në kodra se në fusha ishte kombajna, më pas grurin e çonim nëpër stacione ku vinte kombajna. Unë në atë kohë kisha marrë një palë doreza dhe punoja me to sepse nëpër grurë kishte edhe gjemba. Kur më panë më thirrën dhe më thanë se nuk duhet të punoja më me doreza sepse ishte shembull i keq. Ajo periudhë ka qenë për të gjitha gratë shumë e rëndë. Varfëria ka qenë e tejskajshme, merrnim ushqim aq sa na jepte shitësja. Unë kam punuar në Lubonjë gjithë jetën time, deri më 1991. Argëtimi në atë kohë ishte vetëm kur vinte ndonjë film nga qyteti. Në atë kohë unë lexoja libra për të edukuar fëmijët dhe gjëra që më duheshin për jetën, nuk kisha kohë të merresha me romanet. Ai brez është brez i sakrificës, nuk vijnë më ato gra. Veshja e një gruaje të zakonshme në atë kohë ishin pantallonat, një bluzë dhe shamia, rrobat e nusërisë nuk griseshin, mykeshin nëpër dollapë. Peshën më të madhe të punës e kishte gruaja”, tha Toro.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al