Ngjarjet e bujshme që tronditën opinionin publik


Ngjarjet e bujshme që tronditën opinionin publik

20:30 03/09/2018

Disa prej ngjarjeve të ndodhura gjatë kësaj vere në Shqipëri kanë tronditur thellësisht opinionin publik.

Emisioni “Rudina” ka trajtuar sot në puntatën e parë të çeljes së këtij sezoni, tre prej ngjarjeve më të bujshme. Bëhet fjalë për masakrën e Selenicës, ku mbetën të vrarë 8 anëtarë të një familje, zhdukjen e dajës dhe nipit në rrethana misterioze në Shkodër dhe sulmin me armë ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala.

Në masakrën e Selenicës 8 anëtarë të një familje u ekzekutuan nga 24-vjeçari Ritvan Zykaj, i cili hapi zjarr me breshëri kallashnikovi. Në polici, 24-vjeçari deklaroi se personat e lartpërmendur e akuzonin pa të drejtë për vjedhje pulash.

Ngjarja e dytë lidhet me zhdukjen misterioze dajë e nip në Shkodër. 56-vjeçari Gëzim Hysaj, baba i katër fëmijëve dhe nipi i tij Agron Molla, i cili ka tre fëmijë janë larguar ditën e 23 Gushtit nga banesa dhe nuk janë kthyer më. Sa i përket pistës që po hetohet nga ana e grupit hetimor është hakmarrja ndaj nipit të tij, Agron Mollaj, pasi ky ka bërë një vrasje në vitin 1997.

Një tjetër ngjarje e rëndë këtë verë ishte sulmi me breshëri kallashnikovi ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares Klodiana Lala. Në momentin e ngjarjes brenda banesës ishin 8 persona, prindërit, motra, vëllai, të afërm të familjes dhe 2 vajzat e gazetares Lala.

Për të folur pikërisht për këto ngjarje ishin të ftuar në studion e “Rudina” sociologu Gëzim Tushi dhe gazetarja e gazetës “Panorama”, Etleva Delia.

Tushi kërkoi mobilizimin e shtetit dhe strukturave përkatëse, që të marrin masa, pasi sipas tij, këto krime po cënojnë cilësinë e jetës publike.

“Situata në shoqërinë shqiptare është agravuar shumë dhe krimi është bërë i përbindshëm. Jam personalisht i shqetësuar për dimensionet dhe format e përbindëshme që ka marrë. Kjo tregon që ne jemi në një moment shumë delikat, ku krimi po tenton të nxjerrë dhëmbët. Është një moment që shteti bashkë me struktura të tjera duhet ta bëjë zap, sepse këto dimensione të krimit në shoqërinë tonë po prekin cilësinë e jetës dhe njërëzit janë shumë të shqetësuar. Unë them që krimi është një e keqe e madhe publike dhe duhet vlerësuar si e tillë. Arsyet se përse ndodhin këto ngjarje mund të jenë të shumta, unë i kam të renditura:

-Rrënimi i aspekteve edukative të familjes, e cila po humbet strukturalisht funksionet e saj për të formuar një qenie humane.

-Shkolla, e cila ka ndikimet e veta.

-Varfëria është një tjetër arsye.

-Përdorimi i gjerë i alkoolit dhe drogërave, të cilat po rrisin neurotizmin social dhe atë individual.

Praktikisht jemi përballë një qenie që ke frikë të thuash se erdhëm nga bota e kafshëve dhe u bëmë njerëz dhe tani po ecim drejt një qenie që është gati bishë. Jemi në një shoqëri ku armën e gjuhës po e zëvendësojmë me gjuhën e armës”,

tha Tushi.

/tvklan.al






Të ngjashme