Çfarë ndodhi në Tiranë pas prishjes së Pazarit të Vjetër (Emisioni 12 – Sezoni 1)


Çfarë ndodhi në Tiranë pas prishjes së Pazarit të Vjetër (Emisioni 12 – Sezoni 1)

Autori: Pamela Jonuzi

12:20 22/03/2009

Histori me zhurmues – Prishja e Pazarit të Vjetër më 1959 solli ndërtimin e Pallatit të Kulturës. Për zanatçinjtë e atyre viteve prishja e Pazarit të Vjetër ishte një humbje për artizanatin. Për të folur për atë periudhë ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, një qytetar i vjetër i Tiranës, Osman Reçi.

Gjatë emisionit ai tregoi se si rrodhën ngjarjet pas prishjes së Pazarit të Vjetër të Tiranës.

“Pazari i Vjetër i Tiranës ishte kështjella e aktivitetit të qytetarëve të Tiranës. Ishte një objekt i ndërtuar nga një arkitekt dhe ishin ndërtuar të gjitha profesionet e ndryshme që ushtroheshin. Çdo rrugë lidhej me një profesion dhe qytetari e dinte se ku duhej të shkonte për të kryer shërbimet e tij. Në Dhjetor të ’59 erdhi sinjali për prishjen e Pazarit të Vjetër dhe kjo me të vërtetë ishte një goditje për qytetarët e Tiranës. Sinjali për prishjen e tij ishte i papritur, vetëm një sinjal me shkresë pa asnjë lloj diskutimi dhe ne pronarët e vjetër nuk kishim asnjë të drejtë të reagonim. Pazari i Vjetër nuk ishte vetëm një qendër tregtare, ishte edhe qendër familjare. Me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Pallati i Kulturës mbeti i papërfunduar, kështu që lindi problemi se çdo bëhej me Pallatin e Kulturës. Kujtoj të ndjerin Ferid Stermasi, inxhinierin i cili nxorri në krye këtë pallat që ne shikojmë sot, sepse po të ishte për sovjetikët ajo do të kishte mbetur greminë.

Por përveç Pazarit të Vjetër ne kishim edhe Pazarin e Ri, i cili i vinte në ndihmë fshatarëve të shisnin prodhimet e tyre. Fakti që u prish Pazari i Vjetër bëri që të bëhej edhe më i madh Pazari i Ri”,tha Reçi.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. 






Të ngjashme