Nga Izraeli, tek Izraeli. Rezultati ndikon tek e ardhmja e trajnerit


Nga Izraeli, tek Izraeli. Rezultati ndikon tek e ardhmja e trajnerit

16:04 07/09/2018

Kombëtarja shqiptare nis sonte një fushatë të veçantë, atë të Ligës së Kombeve. Rastësia solli edhe një herë përballjen me Kombëtaren e Izraelit. Dy përballjet e fundit me hebrenjtë ishin si ferri me parajsën. Një humbje e shëmtuar, e dhimbshme madje tejet acaruese në Elbasan, për mënyrën si u zhvillua ndeshja, dhe një sukses i shkëlqyer, i shumëpritur në Haifa.

Nga Izraeli tek Izraeli, skuadra e Panuccit do të ketë mjaft ndryshime nga ajo e De Biasit që mori suksesin në fushë kundërshtare. Kjo për shkak të dëmtimeve të Sadikut dhe Roshit në repartin e sulmit. Nga ajo skuadër mungojnë edhe Cikalleshi, Abrashi dhe Kukeli ndërsa është rikthyer Xhaka. Gjithsesi në ambientet kuqezi thuhet se do të shohim kombëtaren e vërtetë e cila nuk do të ngjasojë me atë që dështoi turpshëm në miqësore me Kosovën dhe Ukrainën.

Duke shprehur bindjen tek lojtarët dhe impenjimi i tyre, Christian Panucci tha se skuadra e tij do të luajë sikur gjërat nisin nga zero, ska më eksperimente, s’ka më miqësore, kjo ndaj izraelit do të jetë ndeshja e vërtetë. Dy përballje në pak ditë me Izraelin dhe Skocinë do të ndikojnë së tepërmi edhe në të ardhmen e tij në pankinën kuqezi.

Jo më kot italiani risolli në kombëtare edhe një herë lojtarët më me eksperiencë dhe në formë të momentit.

Në 8 ndeshje, 2 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje, Panucci i konsideroi si prova për të gjetur grupin e duhur të lojtarëve me të cilët do të aplikonte mënyrën e tij të lojës duke nxjerrë në pah më të mirën e lojtarëve. Tashmë që edhe Liga e Kombeve është një mënyrë për të shkuar në Europianin e 2020, tekniku e di mirë që nuk i pranohen më eksperimente.

Tv Klan






Të ngjashme