Alfio dhe Indriti, dy të “çmendurit” e emisionit të kuzhinës në Tv Klan


Alfio dhe Indriti, dy të “çmendurit” e emisionit të kuzhinës në Tv Klan

10:53 08/09/2018

Një shprehje thotë, “

Nuk ka asnjë dashuri më të sinqertë, se ajo për ushqim”

. Dhe për të qenë të sinqertë ushqimi i shijshëm dhe i shëndetshëm është një dashuri më vetë që nuk do të donim asnjëherë ta braktisnim. E kush më mirë mund të na mësojë receta  të shijshme gatimi se dy shefat Alfio Rrotani dhe Indrit Çela të cilët do të na mbajnë përpara ekranit të madh të Tv Klan me emision e tyre të përditshëm. Në shumicën e rasteve jemi mësuar që të shohim shefa kuzhine që janë shumë seriozë dhe strikë. Por me Alfion dhe Indritin nuk ndodh kështu. Ata janë një dyshe që dinë të kombinojnë shumë mirë gatimin me argëtimin dhe ta bëjnë publikun nga shtëpia që të buzëqeshe.

Por le të mësojmë më shumë rreth projektit të tyre të këtij sezoni të ri në Tv Klan. Në një intervistë për tvklan.al dy çunat na rrëfejnë detaje nga emisioni i tyre, i cili do të jetë nga e hëna në të premte.

Pas përfundimit të sezonit veror ku udhëtonit me “kuzhinën” tuaj nëpër Shqipëri ju do të jeni sërish në ekranin e madh të Tv Klan, këtë herë me një emision të përditshëm. Si është konceptuar të vijë ky emision në shtëpitë e shqiptarëve dhe e kujt ka qenë ideja?

Gjatë xhirimeve të “Bukë, kripë dhe zemër”, i cili ka qenë një projekt veror shumë i dashur nga publiku dhe na gëzon shumë ky fakt. Ne kemi qenë gjithë kohën duke bërë "brainstorming" për një format kuzhine në fillim të sezonit. Pas shumë bisedash dhe ideve arritëm në një format final, i cili i ka të gjitha brenda njerëzit e thjeshtë, këshilla kuzhine, receta sa të thjeshta aq është të vështira. Mbi të gjitha ka edhe garë!

Si do të jetë konceptuar të vijë emisioni juaj?

Emisioni do të jetë nga e hëna në të premte, ku katër ditë do të ketë të ftuar dy njerëz të zakonshëm të cilët do sfidojnë njëri tjetrin dhe nëse fitojnë njëri prej tyre do të jetë edhe ditën tjetër, ku nuk do të mungojnë edhe çmimet stimuluese.

Programet e kuzhinës janë pothuajse të pranishme në të gjitha ekranet televizive, çfarë do ketë ndryshe Alfio dhe Indriti në këtë sezon të ri?

Do ketë Alfion dhe Indritin (hahah). Ne punojmë gjithmonë për të sjellë jo vetëm gjëra të reja, por edhe gjëra që publikut do i vijnë në ndihmë dhe do i shijojë. Ne nuk duam ti tregojmë detajet se duam t’i lemë surprizë. Por duke filluar nga studio e deri tek detajet e tjera ky është një projekt që bëhet me shumë dashuri dhe publiku do e ndjejë! Se dashuria vjen edhe nga stomaku.

A do jetë emision i fokusuar vetëm tek një lloj kuzhine, apo do të ketë larmishmëri?

Jo. Dy shefat nuk mund të fokusohen vetëm tek një lloj kuzhine. Do ketë çdo lloj ingridienti dhe çdo lloj recete. E bukura qëndron në faktin që do jetë diçka e thjeshtë dhe me adrenalinë.

Sikurse e thashë dhe në fillim të intervistës ju keni udhëtuar nëpër qytete ku keni gatuar specialitete të vendit ku qëndronit, cili është ai gatim që keni mësuar diçka të re dhe do e përdorni në specialitetet tuaja?

Çdo qytet ka patur veçantinë e tij. Ne kemi mësuar gjëra të ndryshme dhe kemi ndeshur në mikpritje të ngrohtë kudo. Kemi parë vende të bukura shumë që ka Shqipëria. Mund të themi vetëm një recetë e cila nëpër rrjete sociale ka ngjallur habi. "Byreku me peshk" i Himarës na bëri të gjithave të thonim "uaa paska një të tillë?!"

A ka Alfio dhe Indriti një gatim ku kanë “dështuar”?

Ne e dashurojmë kuzhinën edhe pse nuk është e lehtë. Mendojmë nëse ti zgjedh të besh atë që do dhe e bën me seriozitet nuk mund të dështosh. Sado profesionistë të jemi në do dështojmë gjithmonë tek gatimet e mamave (haha). Askush nuk gatuan si nënat, ato kanë shumë dashuri në gatimet e tyre.

Ju jeni dy tipa shumë karizmatikë dhe të dashur për publikun cila është marrëdhënia juaj jashtë emisionit?

Ne nuk jemi njohur në televizion. Miqësia jonë ka nisur para se të kishim një emision të përbashkët. Kështu që nuk kemi veshur personalitet për formatin televiziv që kemi bërë bashkë. Jemi akoma më të çmendur, në ekran sillemi si serioz. (hahah)

Nga eksperienca juaj a mendoni se shqiptarët dinë të gatuajmë mirë?

Mendojmë që shqiptaret mësojnë shpejt, i kapin gjërat shpejt. Mendojmë që recetat shqiptare janë fantastike thjesht duhet të modifikohen pak që të bëhen më të shëndetshme.

Cili është ai gatim që nuk duhet të mungojë në tryezat e shqiptarëve dhe do ja u sugjeronit amvisave?

Ne do sugjerojmë pafund përgjatë sezonit të ri në Klan. Amvisat duhen të rrinë me laps dhe letër. Nuk po zgjedhim një gatim, por frutat dhe perimet nuk duhet të mungojnë. Sigurisht dhe një ëmbëlsirë me pak kalori, sikur ta zbukuron ditën. Por këshillat e tjera do i merrni në çdo ditë në Tv Klan./tvklan.al

Realizoi: Marsida Pllaha





Të ngjashme