Mehmeti tha në studion e emisionit ‘Opinion’, se Ritvan Zykaj është akuzuar nga të afërmit e tij edhe për një vjedhje tjetër 4 vite më parë, specifikisht për vjedhjen e katër pulave të detit.
Sipas gazetarit, Zykaj është arrestuar kohë më parë edhe në Greqi për të njëjtën akuzë.
Më tej, Mehmeti rrëfei se Ritvan Zykaj nuk ka shfaqur pendesë në lidhje me aktin e kryer, ndërsa është pyetur nga policia ka thënë se të njëjtën ngjarje mund t’a përsëriste edhe njëherë tjetër.
“Unë e kam parë në sallën e gjyqit, i kam folur, por ai nuk jepte asnjë reagim”,-tha Mehmeti.
Tetë persona, anëtarë të një familje, u qëlluan për vdekje duke regjistruar kështu ngjarjen më të rëndë kriminale në vendin tonë.
Dy nga viktimat janë fëmijë të moshës 15 dhe 8-vjeç si dhe tre gra. Emrat e viktimave janë Demir Zykaj, Besim Zykaj, Azem Zykaj, Perri Zykaj, Vasilika Zykaj, Afërdita Zykaj, Sara Zykaj (15 vjeçe) dhe Ledion Zykaj (8 vjeç).
Portat e mbyllura të 4 shtëpive e bëjnë edhe më të thellë heshtjen që mbulon lagjen e Zykajve.
Shtëpia e vrasësit dhe ato të viktimave janë shumë pranë, të ndara me gardhe telash, që fare mirë lejojnë të shohësh nga njëri oborr në tjetrin.
Familja e vrasësit është larguar nga fshati pa adresë. Herë pas here në shtëpi shihet gjyshi i tij, i cili nga një portë e pasme hyn për të ushqyer kafshët që kanë mbetur brenda.
Ndërkohë, drama sociale që ka prekur familjarët e viktimave, duket se sapo ka filluar.
Dy vëllezërit Arjel dhe Falkao, përkatësisht 20 dhe 24 vjeç si dhe Albi 18 vjeçar janë të vetmit të mbijetuar nga familjet e Azem dhe Besim Zykajt.
I vetmi i afërm i tyre në fshat, është Krenari, xhaxhai që nuk flet e nuk dëgjon dhe që ditën e sulmit I shpëtoi vdekjes, pikërisht për këtë arsye. Nuk iI kishte dëgjuar të shtënat dhe nuk doli në oborr si të tjerët.
3 djemtë janë të heshtur, flasin pak dhe qëndrojnë me kokat ulur. I shmangen kamerës dhe përpiqen ta mbajnë brenda dhimbjen që duket se po i vret.
Nuk dinë të japin shpjegim dhe as të gjejnë arsye për atë që ndodhi, kanë një dhimbje të përbashkët, por secili duke e jetuar në mënyrën e vet.
24-vjeçari Falkao ishte i pari që mbërriti në vendngjarje. I ka gjetur një e nga një trupat e pajetë të njerëzve të dashur, e madje i është dashur t’i mbulojë për të fundit herë. Në vendngjarje, sikurse na thotë jashtë kamerave, ka gjetën vetëm gjyshin e vrasësit.
Albi 18-vjeçar është edhe më i heshtur se kushërinjtë. Vendos cdo ditë lule në vendin ku të dashurit e tij dhanë frymën e fundit.
Djemtë jetojnë çdo ditë me dhimbjen. Ecin ditë në vendin ku familjarët e tyre dhanë frymën e fundit, shohin fotografitë që u kanë mbetur kujtim dhe shkojnë tek varreza e familjes, e vendosur shumë pranë banesave, mes ullinjve të Zykajve.
“Këta shkojnë dy herë në ditë në varreza, nuk është mirë, sjell keq”, thotë xhaxahi I tyre Resmiu, që tashmë ka lënë familjen në Greqi, për t’ju qëndruar pranë nipërve, që sytë i kanë tek ai.
Jetesa në shtëpinë që u kujton cdo sekondë dhimbjen që mbajnë mbi supe, duket se po bëhet e vështirë për tre djemtë. Janë mjaftueshëm të rritur për t’I mbajtur lotët, por ende të rinj për të përballuar jetën të vetëm.
Teksa në mendjen e gjithë të mbijetuarve tashmë është gjetja e një mënyrë për t’u larguar nga fshati, ata ndjehen të braktisur nga cdo institucion, që minimalisht kishte për detyrë të identifikonte problemet sociale që kjo tragjedi la pas.