Masakër me 6 të vrarë
Një masakër e vërtetë, me 6 persona të vrarë, ka ndodhur në qytetin e Bakersfield, në Kaliforni.
Sipas BBC, një çift, burrë e grua shkuan me makinë në një parkim kamionësh, në një zonë të qytetit dhe pikërisht këtu burri qëlloi për vdekje gruan dhe dy persona të tjerë. Më pas ai u largua drejt një banese, ku vrau dy të tjerë. E teksa tentoi të largohej, ai rrëmbeu një makinë, brenda së cilës ndodhej një grua dhe një fëmijë, ku u përball me një oficer policie dhe qëlloi veten për vdekje. Momentalisht, shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende. Autoritetet policore atje thanë se po përpiqeshin të përcaktonin se "përse nisi gjithçka dhe përse autori kishte në shënjestër kaq shumë persona, pasi vrasjet janë dukshëm të lidhura me njëra-tjetrën".
Kreu i policisë në Kern County, Donny Youngblood shpjegoi se e gjithë masakra kishte ndodhur në një hark kohor prej 10-15 minuta."6 njerëz humbën jetën në një periudhë tejet të shkurtër kohore",
tha ai. Deri më tani, autoritetet dinë se bashkëshorti (autori) ishte përballur me një burrë dhe e kishte qëlluar për vdekje, sëbashku me bashkëshorten e tij. Në këtë moment në vendngjarje ishte shfaqur një tjetër person, të cilin autori e vrau teksa po tentonte të largohej. Më pas, vrasësi shkoi me makinë në një rezidencë në rrugën Breckenridge dhe qëlloi për vdekje dy të tjerë. Fatmirësisht gruaja dhe fëmija e saj që ndodheshin brenda makinës që rrëmbeu autori, arritën që të largoheshin të padëmtuar. Emrat e viktimave nuk janë bërë ende publike, por ata mësohet se jetonin të gjithë në zonën e Bakersfield, rreth 145 kilometra nga Los Angeles./tvklan.al