Rikonstruktohet shkolla “Dëshmorët e Lirisë”
“Kemi premtuar se çdo shkollë ku po punojmë do të jetë gati, ndaj skuadrat po punojnë deri në 17 shtator. Jemi në shkollën “Dëshmorët e Lirisë”, ku ka ende pak punë për të mbyllur terrenin sportiv, ndërkohë që ka mbaruar auditori, kanë mbaruar punimet e brendshme, banjot e reja, veshja me kapotë, të gjitha klasat, plus klasa parashkollore, e cila do të jetë e pranishme në shumicën e shkollave të Tiranës, si një klasë më vete që parapërgatit fëmijët që do të nisin klasën e parë”
, u shpreh Veliaj.“Kjo shkollë, si shumë shkolla të Njësisë 5, kanë përballuar një “tsunami” të vërtetë demografik. Pra, popullsi që rritet, kryesisht çifte të reja, që vijnë e lakmojnë zonën e Njësisë 5, por Njësia 5 sot është me të drejtë qyteti i dytë në Shqipëri, pas Tiranës; do të thotë që, edhe nevojat janë rritur, ndaj po bëjmë dy veprime: së pari, rregullim total të të gjitha shkollave ekzistuese dhe më pas do të ndërtojmë 3 shkolla të reja. E para do të jetë tek Parku Olimpik, për të shfryrë një pjesë të mirë që vjen nga zona e Kopshtit Zoologjik, Kopshtit Botanik dhe Liqenit të Thatë.
P
ra, lirojmë shkollat “At Zef Pllumbi”, “Dëshmorët e Lirisë”, “Petro Nini Luarasi”, që secili të ketë një shkollë brenda një rreze ku edhe fëmijët mund të ecin, pra 500-1000 metra, çka do e bënte shumë më normal procesin mësimor”
, tha Veliaj.“Ftesa jonë për drejtorët ka qenë: Respektoni maksimalisht kuotat! Duke pasur dëshirë për të mbushur shkollën dhe për të bërë ndonjë nder të vogël, me mbingarkesë, në fakt e rrënojnë cilësinë e arsimit për gjithë të tjerët. Duhet ta kemi të gjithë parasysh këtë dhe ta respektojmë si rregull të Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë Arsimore”
, tha Veliaj.“Fatmirësisht, po mbarojmë disa shkolla të reja: hapet shkolla “Kosova”, që bën një shfryrje tjetër, hapet shumë shpejt shkolla “Servete Maçi”, dhe më vjen mirë që për herë të parë shkollat e muzikës si “Dëshmorët e Lirisë” kanë edhe sallat e tyre koncertore të një niveli dinjitoz, me ajër të kondicionuar dhe akustikën e nevojshme.
Nuk e di a do dalin këtu Saimir Pirgu dhe Ermonela Jaho të ardhshëm, por secili duhet të ketë shansin ta provojë dhe besoj që duke krijuar kushtet, u kemi dhënë të gjithëve një shans të barabartë të provojnë të jenë yjet e ardhshëm të Shqipërisë”,
shtoi Veliaj.“Rikonstruksioni i shkollës është një moment thelbësor, jo vetëm për nxënësit që do të studiojnë këtu, por edhe për komunitetin, sjell një ndryshim të cilësisë së jetës.
Një Tiranë europiane nuk mund të funksionojë thjesht duke rikonstruktuar qendrën, por ka filluar nga rikonstruksioni i çerdheve, i kopshteve, tani edhe i shkollave ekzistuese. Është një shtator i cili do të vijë i gëzueshëm, jo vetëm për fëmijët, por edhe për prindërit, të cilët duan të dinë se si do të jenë kushtet e fëmijëve. Ajo që është sot këtu, është fakti se fëmijët do të gjejnë në këtë shkollë kushte si asnjëherë më parë dhe mendoj se prindërit do të ndihen edhe më mirë me fillimin e këtij viti shkollor”,
tha Majko./tvklan.al