Provokacionet e Gushtit në kufirin shqiptaro-grek (Emisioni 20 – Sezoni 1)
Autori: Pamela Jonuzi
23:29 17/05/2009Histori me zhurmues – Viti 1949 në aspektin politik ka qenë një vit plot me ngjarje. Një vit më parë u zhvillua Kongresi i Parë i partisë, ku Koçi Xoxe u shpall armik i saj dhe më 1949 u ekzektua. Në puntatën kushtuar vitit 1949 në emisionin “Histori me Zhurmues”, të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, u trajtua politika e jashtme e Shqipërisë.
Në Gusht të këtij viti ndodhën ato që u quajtën provokacione të Gushtit në kufirin shqiptaro-grek.
Qeveria greke, që në atë kohë kishte mbështetjen e Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, përveç sulmeve ndaj ushtrisë partizane të Greqisë, shkaktoi probleme për Shqipërinë. Qeveria greke akuzonte shtetin shqiptar se ndihmonte partizanët. Në bazë të komunikatave të Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 1950, nga rreth 49 provokacione të ushtrisë greke, mbetën të vrarë 29 ushtarë të ushtrisë tonë, por duke llogaritur dëmet, kjo shifër mendohet të ketë qenë edhe më e lartë.
Për të folur për këto ngjarje ka qenë i ftuar në “Histori me Zhurmues” ish-ushtaraku dhe një nga pjesëmarrësit në luftën shqiptaro-greke të atyre viteve, Skënder Malindi.
“Forcat partizane, para se të prishnin marrëdhëniet me Jugosllavinë, furnizoheshin nga ana e Maqedonisë. Kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë, atëherë furnizimi i tyre bëhej nga ne. Kulmi i provokacioneve arriti në fund të 1949, kur partizanët grekë vazhdonin luftimet me ushtrinë greke.
Grekët goditën me artileri e murtajadhe si rezultat u vranë 6 ushtarë.
Bashkimi Sovjetik kishte bërë një plan që ne do të kundërsulmonim grekët, duke filluar nga Ballshi, Qafa e Kiçokut, gryka e Këlcyrës e deri në Malin e Papingut. Plani ishte të sulmohej me tanke, por nënkoloneli Hamit Keçi i tha përfaqësuesit të Bashkimit Sovjetik që aty jo vetëm tanket që nuk kalonin, por edhe njerëzit e kishin të vështirë. Ai raportoi lart dhe Hamit Keçin e arrestuan”, tregoi Skënder Malindi.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al