Bileta autobusi për fëmijët 0-6 vjeç, Veliaj: Ligjin e bëri Basha


Bileta autobusi për fëmijët 0-6 vjeç, Veliaj: Ligjin e bëri Basha

12:41 27/09/2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaroi këtë të enjte gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak se ish ministri i Transporteve dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha është autori i ndryshimeve ligjore që detyronte fëmijët nga mosha 0 deri në 6 vjeç të paguanin biletën e udhëtimit në transportin urban.

Ai sqaroi se administrata aktuale e Bashkisë Tiranë i ka kërkuar kompanive të transportit urban në qytetin e Tiranës që fëmijët e kësaj moshe të udhëtojnë falas në autobusët urban. Kjo pasi, sipas tij, qeveria e mëparshme e Partisë Demokratike e kishte hequr këtë detyrim për kompanitë me ligj, duke i lënë atyre dorë të lirë për të detyruar fëmijët që të paguanin biletën.

“U ngrit një histeri për çmimin e biletës për fëmijët. Në fakt ligjin e transportit urban në Republikën e Shqipërisë e ka bërë ish-ministri i Transportit, Lulzim Basha në vitin 2007, që ka hequr ligjin e kohës së Adil Çarçanit që thoshte nga 0 deri në 6 vjeç udhëtimi është falas. Bashkia jonë në kundërshtim me ligjin e Lulit ministër i transporteve i ka kërkuar në mënyrë të paligjshme nëse flasim në sensin juridik të këtyre profesorëve të Juridikut që sa bojkotuan mbledhjen. I kemi kërkuar ne në kontratë që fëmijët të udhëtojnë falas. Po të ishte për ligjin e Lulit ministër Transporti, oligarkët i kishte pasuruar me biletat e kalamajve nga 0 deri në 6 vjeç. E kishim ministër Transporti, partia tjetër aleate kishte të tjerë ministër Transporti pas Lulit. 10 vjet Ministria e Transportit o PD, o LSI. Ja ku jemi. Prandaj ikin, nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sipas një deklarate për shtyp të shpërndarë nga zyra e Bashkisë së Tiranës./tvklan.al






Të ngjashme