Protestë në Prishtinë kundër presidentit Thaçi
Me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur protestën në Prishtinë, ku ka ftuar mbështetësit e saj dhe qytetarët në përgjithësi, që t’i kundërshtojnë politikat e presidentit Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë dhe angazhimet e proklamuara për ndryshimin e kufijve.
Masa është tubuar para Bibliotekës Kombëtare, për të vazhduar drejt qendrës së Prishtinës.
“Protesta e sotme është mbarë popullore e mbarë kombëtare”, thuhet në njoftimin e partisë opozitare Vetëvendosje.
“Shumë mbështetës e qytetarë sot kanë ardhur nga Tirana dhe qytete të ndryshme të Republikës së Shqipërisë në përkrahje të kauzës së kësaj proteste”, theksohet në njoftimin e këtij subjekti politik.
Protestuesit po mbajnë në duar flamuj kombëtar shqiptarë dhe po brohorasin parulla kundër ndarjes së Kosovës.
“Kosova nuk e meriton këtë president”, ka deklaruar lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke bërë thirrje për largimin e tij.
Të premten, presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se kjo protestë nuk është kundër tij, por, siç ka deklaruar ai, “kundër Luginës së Preshevës” dhe vullnetit të qytetarëve të tjeshëm për bashkim me Kosovën.
Paraprakisht, Vetëvendosje ka informuar edhe autoritetet e rendit për mbajtjen e protestës së sotme, duke bërë thirrje që gjithçka të shkojë qetë dhe pa incidente.
Edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar ndërmarrjen e masave të nevojshme për siguri dhe ruajtje të qetësisë./REL