Zaev, optimist për rezultatin e referendumit
Pyetja për votuesit në referendum ishte nëse pranojnë apo jo anëtarësimin në NATO e Bashkim Europian përmes marrëveshjes me Athinën për emrin e ri.
Pasi hodhi votën, kreu i qeverisë Zoran Zaev u shfaq para kamerave, optimist për rezultatin përfundimtar.
Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë:
Sot është një festë e vërtetë. Pres një pjesëmarrje masive që konfirmon vullnetin e maqedonasve për të arritur objektivat strategjike, anëtarësimin në aleancën më të fortë ushtarake globale NATO dhe në unionin më të fortë ekonomik, Bashkimin Europian.
Krerët e partive shqiptare Ali Ahmeti e Menduh Thaçi shprehën mbështetjen për marrëveshjen me Greqinë.
Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së: Jemi angazhuar që nga 1 tetori Maqedonia të jetë … pranë Bashkimit Europian. Ne presim që Maqedonia të realizojë qëllimet e veta për të instaluar një paqe të qëndrueshme, siguri për gjithë qytetarët.
Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së: Besoj plotësisht në përgjigjen masive të qytetarëve të Maqedonisë në lidhje me referendumin.
Fryma mbështetëse ndaj marrëveshjes dominon edhe tek banorët shqiptarë.
Votuesi 1: Ne shqiptarët unanimisht jemi “pro” dhe të tregojmë se dimë ta duam dhe ta ruajmë këtë shtet më tepër se ata të tjerët që thonë se shteti është i tyre.
Votuesi 2: Tashmë këtu varet ekzistenca ose mosegzistenca e Maqedonisë.
Votuesi 3:Ky referendum për shqiptarët është shumë i rëndësishëm. Me këtë ndryshim që ndoshta do të ndodhë, besoj që edhe ne do të kemi perspektivë si gjithë popujt e tjerë europianë.
Opozita maqedonase është kundër marrëveshjes me Greqinë, pavarësisht se kreu i VMRO-DPMNE-së Kristian Miçkovski vendosi të mos bëjë thirrje për bojkot, siç bëri presidenti Gjorge Ivanov.
Tv Klan
Tv Klan