Ish-bashkëshortja e Panajot Plakut rrëfen arratisjen e gjeneralit (Emisioni 24 – Sezoni 1 )
Autori: Pamela Jonuzi
11:40 14/06/2009Histori me zhurmues – Një nga ngjarjet kryesore të vitit 1957 është arratisja e gjeneralit Panajot Plaku. Në atë kohë ai ishte ministër pa portofol. Arratisja e tij shkaktoi komente në media, por edhe përshtjellime të mëdha vite më vonë.
Ish-bashkëshortja e Panajot Plakut, Vjollca Taja ishte e ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço për të folur pikërisht për arratisjen që ndodhi më 16 Maj të vitit 1957.
“Unë e kam njohur përmes një shoqje Panajotin më 1950. U fejuam dhe në Janar të ’51 u martuam. Në atë kohë ishte nënkolonel, por pati një ngritje të shpejtë.
Arratisja ndodhi më 1957. Ditët e fundit përpara se të arratisej ishte i shqetësuar, por kishte ndodhur edhe vdekja e vëllait të tij, Kalos që e kishte tronditur shumë. I kërkova të mërrnim një mjek, por ai bërtiti dhe me këmbëngulje refuzoi.
Më pas ai na tha se po bëhej gati për shërbim, ai shkonte herë pas here dhe më kërkoi t’i bëja valixhen gati. Të nesërmen u takuam dhe u nis për të shkuar, bëri një copë rrugë dhe u kthye prap. Na bëri një fotografi dhe iku. Të nesërmen na erdhi lajmi se ishte arratisur. Mamaja e Panajotit e cila e kuptoi më tha: Mos qaj shumë, ne do ta qajmë gjithë jetën.
Unë nuk e besoja që do ta bënte kurrë këtë, i kundërshtova shumë ata të degës. Më morën në pyetje dhe më kërkuan që të tregoja kush hynte dhe dilte në shtëpinë tonë dhe unë i shkruajta.
Pas arratisjes së tij jeta jonë që e mundimshme. Pasi më mbajtën 10-12 ditë në komisariat, na internuan në Skrapar. Atje kërkova punë dhe fillova në një punishte reçeli ku duhet t’i hiqja bërthamat qershive. Më ndihmuan shumë shoqet atje. Më pas na sollën në Durrës dhe për 6 vite kam qenë e dëbuar. Pas arratisjes së Panajotit babai im kërkoi që të bëhej ndarja duke thënë se ne nuk kishim faj. Pas arratisjes së tij unë nuk dija asgjë se çfarë ndodhte me të, por kur vdiq unë isha në ndërmarrje, dy shoqe më dhanë lajmin. Ato ishin të dyja komuniste dhe unë iu thash: Që kur është arratisur ai për mua ka vdekur”,tha Vjollca Taja.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube
/RTV Klan Arkiv.