Finalizohet eurobondi
Shqipëria arriti të finalizojë transaksionin për emetimin e eurobondit me një shumë 500 milionë euro.
Për herë të parë qeveria hyri në treg me kërkesën për të marrë hua në tregjet ndërkombëtare për një afat maturimi 7-vjeçar, ndryshe nga e kaluara në 2010-n dhe 2015-n, ku afati i eurobondit ishte 5 vjet.
Interesi i eurobondit të ri është 3.5%, më i ulët se norma 5.75% përpara 3 vjetësh. Në një lidhje telefonike me televizionin Klan, ministri i Financave Arben Ahmetaj tha nga Parisi se ky ishte një test për ekonominë shqiptare, ku tregjet vlerësuan reformat e qeverisë.
“Tregjet folën shume qarte, vlerësuan reformat e qeverise Rama.”
Qeveria synon që me Eurobondin e ri të shlyejë para kohe të 200 milionë euro të marra në vitin 2015-ë dhe të plotësojë nevojën për financim të buxhetit në vitet e ardhshme.
“Zëvendësuam borxhin e dikurshëm me një financim më të lirë, është më i lirë edhe se në vendet e tjera të rajonit.”
Edhe kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale vlerësoi interesin e marrë për eurbondin, i cili është dukshëm më i ulët se në 2015-n.
Interesi është norma që qeveria shqiptare i paguan investitorëve që kanë dhënë borxh për Shqipërinë, sa më i ulët të jetë ai, aq më pak paguan buxheti i shtetit.
Tv Klan