Eurobondi heq varësinë e bankave nga investimi në bono thesari
Për Bankën e Shqipërisë emetimi i bondit me vlerë 500 milionë euro në tregjet e huaja dhe jo ato vendase do të krijojë mundësinë që bankat në Shqipëri të investojnë paratë në kredi për biznesin dhe individët e jo në bono thesari.
“Eurobondi liron likuiditet në vendin tonë për kreditim, sinjal pozitiv për investitorët e huaj”, tha
Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Guvernatori i Bankës Qendrore e vlerësoi si të suksesshëm mbylljen e transaksionit për emetimin e eurobondit me një normë interesi 3.55%. Ai tha se interesi ishte dyfish më i ulët se sa është kërkuar, çka do të thotë se ekonomia shqiptare shihet me besim nga investitorët.
“Ky është tregues i vlerësimit të ekonomisë shqiptare nga tregjet ndërkombëtare, përveç atyre të organizmave ndërkombëtare. Ai na vlerësoi me një interes të mirë për situatën aktuale, normat lëvizin nga dita në ditë.”
Në mbledhjen e të mërkurës Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, ndërsa vlerësoi një stabilizim të kursit të këmbimit, por pa deklaruar nëse Banka Qëndrore do të vijojë më tej me politikën e saj të ndërhyrjes në tregun e këmbimit valutor.
Tv Klan