Ish-boksieri tregon arsyet përse u ndalua boksi në Shqipëri në ‘64 (Emisioni 28 – Sezoni 1)
Autori: Pamela Jonuzi
15:10 19/07/2009Histori me zhurmues – Dhjetori i vitit 1963 shënoi ndeshjen e fundit zyrtare të boksit shqiptar. Pas ndërprerjes së boksit, në vitin 1964 nuk u botua kalendari i boksit në Shqipëri.
Për të folur lidhur me këtë temë ishte i ftuar në “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço, Ahmet Golemi një nga emrat më të mëdhej të boksit shqiptar.
“Në Dhetorin e vitit 1963 ishte takimi ndërkombëtar me Koreanoveriorët. Ne u ndeshëm dy herë dhe fituam me sukses. Sporti i boksit ishte shumë i kërkuar dhe i suksesshëm. Ishte një nga krenaritë tona sportive. Kampionati i vitit 1963 është mbajtur në Pallatin e Sportit “Partizani” i cili ishte i mbushur me mbi 3 mijë veta dhe mijëra të tjerë qëndronin jashtë. Në atë kohë boksi u rendit ndër sportet parësorë dhe iu krijuan disa kushte sepse do të merrnin pjesë në lojrat mesdhetare. Dhe çuditërisht në Janar të ‘64 boksi nuk u përfshi në kalendarin sportiv. Ne u befasuam, nuk morëm asnjë shpjegim. Më vonë profesor Rexhep Rama që ishte edhe Sekretar i Sporteve të Rënda u përpoq të mësonte diçka, por nuk mundi.
Janë tre versione se përse u mbyll boksi.
E para, në kampionatin e fundit mes Todi Jankut dhe Mustafa Allushit u zhvillua një ndeshje shumë e rreptë. Nuk e di a u dha apo jo fitorja, Mustafa Allushi u skualifikua, etj, etj. Thonë që nga ambasada Jugosllave janë filmuar turmat e tifozëve të cilët diskutonin për ndeshjen dhe është thënë se ishte revoltë kundër sportit.
Versioni i dytë që thuhet është se një fëmijë kishte shkuar në shtëpi me sy të gjakosur. Ai ishte pjesë e një aktiviteti dhe nëna e tij ishte ankuar.
Versioni i tretë dhe më i besueshëm sipas meje është se gjatë 5 netëve të kampionatit kishte mijëra vetë dhe ishte edhe Hysni Kapo. Unë u gëzova që kishte ardhur se mendova se do të na ndihmojë kryesisht me daljet jashtë vendit, por në fakt ka ndodhur e kundërta”, tha Golemi.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv.