PD-PS, betejë në Prokurori për Xhisiela Malokun
Deputeti Taulant Balla ka dhënë sqarime në Prokurorinë e Tiranës për më shumë se 120 minuta, në lidhje me rastin e Xhisiela Malokut. Ish-oficeri Emiljano Nuhu pretendon se është kërcënuar me armë në prani të deputetit socialist në komisariatin e Krujës.
Taulant Balla u përfshi në historinë e Xhisiela Malokut, nga oficeri i policisë gjyqësore, Emiljano Nuhu.
Prania e tij në ngjarjen e Xhisielës ka të bëjë me momentin kyç të historisë së Nuhut, kur ai tregon sesi Xhelal Rraja i vuri pistoletën në kokë brenda në zyrën e tij në Komisariatin e Krujës, në prani edhe të Taulant Ballës.
Socialistët e quajtën një inskenim. Taulant Balla i denoncoi në prokurori Emiljano Nuhun, Basir Çollakun dhe Lulzim Bashën.
Kallëzimit i shtoi edhe disa materiale qe sipas tij vërtetojnë se ka qenë në Pogradec dhe jo në Krujë, ditën kur polici Emiljano Nuhu thotë se i vune pistoletën në kokë.
“
Unë besoj se tashmë kemi një pasqyrë të qartë edhe të një grupi, që unë nuk do të hezitoja ta quaja të strukturuar mes Lulzim Bashës, Emiliano Nuhut, Basir Çollakut dhe persona të tjerë të paidentifikuar, e cila është detyrë e Prokurorisë, të cilët kanë fabrikuar një inskenim të turpshëm për të cilin do të mbajnë përgjegjësi… “, tha Balla.
Ndërkohë opozita shkoi në prokurori me një shqetësim tjetër.
“Një horr i kthyer në hero.”
Kjo deklaratë e kryeministrit Edi Rama e bërë pas denoncimeve të ish-nënkomisarit të Krujës Emiljano Nuhu, sipas opozitës mjafton që kreu i qeverisë të ndiqet penalisht për tre akuza.
Depozitimi i kallëzimit në Prokurorinë e Tiranës u pasua me reagimin e kryeministrit Rama.
“I falenderoj dhe plotësisht gati të hetohem, duke pritur me durim që Prokuroria t’i nxjerrë fundin të dy Babaleve, ndërkohë që puna për Paketën Antishpifje vazhdon”
, shkruan kryeministri.
Tv Klan