Ia arrestuan babain në sy të nxënësve të tij dhe më pas ia pushkatuan (Emisioni 1 – Sezoni 3)
Histori me zhurmues-Më 17 Maj të vitit 1947 në Peshkopi arrestohet nga sigurimi i shtetit Edip Tërshana, kryetar i të ashtuquajturit grup demokrat terrorist. Në këtë grup bënin pjesë 10 veta.
Nehat Tërshana, djali i Edip Tërshanës ishte i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço nga ku rrëfeu arrestimin e të atit dhe vuajtjet e familjes pas pushkatimit të tij.
“Babai im i ndjerë në vitin 1945 krijoi partinë e parë demokratike me intelektualë të mirëfilltë dhe figura të shquara të nacionalizmit si Hysni Alimerko, Jani Konomi, Alqi Nushi, Eqerem Kukeli, Shefqet Shehu etj. Ky grup filloi të bënte agjitacion kundër pushtetit popullor në mënyrë klandestine, por u zbulua nga sigurimi i shtetit. I pari u arrestua Edipi dhe grupi mori goditjen definitive dhe për 10 muaj janë torturuar mizorisht.
Babai është arrestuar më 17 Maj të 1947 rreth orës 8 të mëngjesit përpara nxënësve të tij në shkollë. Pasi u pushkatua babai, Remzi Tershana, kushëriri i babait më tërhoqi nga Peshkopia, ndërsa nënën dhe motrën i çuan në një fshat në të dalë të Peshkopisë në një stallë. Aty ka qëndruar një vit. Më pas kemi jetuar në Tiranë, kemi jetuar në një barakë për disa vite. Pasi mbarova shkollën kam punuar në Tërbuf. Nënën dhe motrën i dëbuan në Kavajë. Kur më ka vdekur nëna unë isha në punë dhe kur jam kthyer kam gjetur qindra njerëz në varrimin e saj dhe nuk e harroj”, tha Nehat Tërshana.
*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv