“Nëna e të gjitha bombave” godet Amerikën
Uragani Michael ka goditur me një force aq të madhe bregun perëndimor në Shtetet e Bashkuara, saqë amerikanët e kanë pagëzuar me emrin “Nëna e të gjitha bombave”.
Ky ishte emri i bombës më të fuqishme jobërthmore që kanë prodhuar ndonjëherë Shtetet e Bashkuara dhe të cilën e lëshuan në Prill të vitit të kaluar për të shkatërruar një bazë të ISIS. Ky krahasim që i bëjnë uraganin Michael nuk është një rastësi. Një qytezë e tërë është fshire nga harta, thonë zyrtarët. Stuhia ka goditur me 250 kilometra në orë pranë Meksiko Beach. 16 vetë kanë mbetur të vrarë nga uragani më i fuqishëm në historinë e Amerikës, që ka ngjallur frikë se numri i viktimave do të rritet, pasi grupet e shpëtimit ende nuk kanë arritur në zonat më të goditura. Ndërkohë, më shumë se 1 milionë shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në Florida, Alabama, Xhorxhia, Virxhinia etj. Michael, raportojnë mediat amerikane, shkatërroi lagje të tëra, për t’u rikthyer sërish në det të premten. Shtëpitë u shkulën nga themelet, barkat fluturuan në ajër, ndërsa kamionë 30 tonësh u ngritën në vorbull si të ishin lodra. Një kompani sigurimi ka nxjerrë të dhëna, sipas të cilave, dëmet nga Michael arrijnë deri në 8 miliardë dollarë. Mijëra vetë janë evakuuar nga banesat e tyre në pritje që stuhia të tërhiqet, ndërsa në media kanë dalë krahasimet e pamjeve, si kanë qenë dhe si janë shndërruar pas goditjes së uraganit./tvklan.al